Prokuroria ngre padi për 11 të dyshuar për falsifikim të dokumenteve

Prokuroria ka ngritur padi ndaj 11 personave lidhur me aferën Mafia. Në njoftim thuhet se Ministria e Punëve të Brendshme deri tek ata ka dërguar dy padi, një nga sektori për kriminalitet financiar dhe një nga reparti për kontroll të brendshëm, hetime kriminalistike dhe standard profesionale. Të gjithë të dyshuarit ngarkohen për veprën penale keq përdorim i detyrës zyrtare. Siç sqaron Prokuroria Publike, nga 11 të akuzuarit, 10 janë të punësuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme, në shërbimet për dhënie të pasaportave, ndërsa një person si ndërmjetësues gjatë dhënies në mënyrë antiligjore të dokumenteve. Me dy paditë e ngritura përfshihen gjithsej 219 pasaporta të lëshuara në mënyrë jo ligjore.

Prokuroria

“Padia e parë ka të bëjë me 215 dokumente udhëtimi, me çrast të dyshuarit u kanë mundësuar shtetasve të huaj të pajisen me dokumente udhëtimi të Republikës së Maqedonisë së Veriut, me identitet të huaj maqedonas, ndërsa me fotografi të personave të cilëve u është dhënë dokumenti. Në këto raste janë përdorur identitete të personave që jetojnë në diasporë. Me padinë e dytë janë përfshirë 4 pasaporta ku janë përdorur më shumë numëra amzë të dhëna për një person, të cilat nuk janë përfshirë në procedurë për shfuqizimin e tyre, me qëllim që të krijohet identitet I ri, që më pas me fotografinë e personit që kërkon pasaportë është përdorur për të krijuar dokument i ri udhëtimi në mënyrë joligjore”.

Për tetë persona prokuroria ka kërkuar paraburgim, prej të cilëve një është në arrati, ndërsa ndaj dy personave masa e kujdesit, ndalesë për lëshimin e vendit dhe obligim për tu paraqitur në gjykatë. Një nga të arrestuarit tanimë ndodhet në paraburgim për një lëndë paraprake për dhënie të lejeve për vozitje në kundërshtim me ligjin.

Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski ka akuzuar se lideri i opozitës maqedonase Hristian Mickoski ka lidhje të afërta me njërin nga pjesëtarët e arrestuar të grupit që akuzohen për dhënien e pasaportave në rastin “Mafia”. Spasovski në një deklaratë për Slloboda TV, ka thënë se i akuzuari ka pasur kontekte të shpeshta me Mickoskin, ndërsa zbuloi se një pasaportë është shitur edhe deri në 20 mijë euro.

Oliver Spasovski

“Gjatë paraqitjes time publike dje i kërkova Prokurorisë të hetojë të gjitha këto aktivitete. Nëse dilni ne publik si parti e opozitës me ndonjë akuzë, zbardhje të dokumenteve, provave, etj, dhe këtë nuk e bëni te organi kompetent që është prokuroria Publike, kjo hapë shumë dilema të cilat I kam dhe unë. Kjo është arsyeja pse sistemi duhet të funksionojë, prandaj thashë që duhet të jepet një përgjigje. Megjithatë, kur kemi parasysh se një nga të arrestuarit është në kontakt të ngushtë, të drejtpërdrejtë dhe të përditshëm me udhëheqësin e opozitës, atëherë lind një dilemë serioze se pse u bë kjo”.

Ndërkohë edhe në njoftimin e Prokurorisë thuhet se në tërësi do të hetohen informacionet për lansimin e informatave nga procedura në opinion në gazën finale të sigurimit të dëshmive, gjeqësisht pak para procedimit të padive penale.

Prokuroria

“Për këtë qëllim, prokurori publik kompetent nga MPB do të kërkojë dëshmi nëse ka dhe cilët persona, këto të dhëna i kanë bërë të kapshme për opinionin dhe në të njëjtën kohë do të sigurojë edhe dëshmi verbale në korniza të autorizimeve ligjore”

Skandalin “Mafia” për herë të parë e shpalosi partia maqedonase në opozitë, VMRO-DPMNE përmes një brifingu me gazetarë ku u njoftua se kriminel dhe narko dilerë të fuqishëm rajonal janë pajisur me pasaporta të Maqedonisë së Veriut. Pas këtij brifingu, MPB akuzoi se në këtë mënyrë opozita ka tentuar të bëjë obstrukcione ndaj operacionit.