Prokuroria kërkon paraburgim personin i cili ka sulmuar sekretarin e klubit bullgar

Prokurori publik kompetent i ka dorëzuar gjyqtarit të procedurës paraprake nga Gjykata Themelore në Ohër propozim për caktimin e masës së paraburgimit për 24-vjeçarin nga Ohri, i dyshuar për veprën penale “lëndime të rënda të shkaktuar ndaj Hristijan Pendikov”, sekretar i klubit bullgar “Car Borisi i Tretë”.

Ndaj të dyshuarit është lëshuar urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore nga Prokuroria Themelore Publike e Ohrit.

“Më 19 janar, në një kafe-bar në Ohër, i dyshuari i është afruar një tavoline ku ishte ulur një person, e ka goditur në kokë, i është drejtuar me fjalët “nuk të vjen turp të jesh bullgar” dhe është larguar.

Disa orë më vonë, kur viktima ka dalë nga lokali dhe ka qenë duke ecur drejt veturës së tij, i dyshuari së bashku me dy persona të tjerë të panjohur e kanë përgjuar dhe e kanë sulmuar duke e goditur në kokë dhe në trup dhe duke i shkaktuar lëndime të rënda në rrezik për jetën”, thonë nga Prokuroria Publike.