Prokuroria Themelore Publike Shkup ka ngritur procedurë kundër katër personave të dyshuar për vjedhjen e bustit të bronzit në Varrezat e Butelit në Shkup, përcjell TV21. Prokurori publik i ka dorëzuar gjyqtarit të procedurës paraprake të Gjykatës Penale Themelore Shkup propozim për caktimin e masës së paraburgimit për të katër të dyshuarit.
“Të dyshuarit, më 17 shtator, kanë hyrë në varrezat e qytetit në Butel, kanë shkuar deri te aleja e qytetarëve të merituar dhe duke përdorur forcë fizike kanë arritur ta shkulnin dhe rrëzonin bustin prej bronzi me dy figura njerëzore në pozicion ulur, nga platforma e varrit të të ndjerëve Stale Popov dhe Branka Popovska. Busti ka qenë i fiksuar me ankorë, me ç’rast ata e kanë dëmtuar dhe shkatërruar vetë platformën e varrit dhe e kanë fyer vendin e varrit. Pasi e kanë hedhur bustin në tokë, e kanë tërhequr deri te gardhi me tela ku më parë kishin bërë një hapësirë, dhe përmes hapësirës e kanë kaluar bustin dhe e kanë ngarkuar në automjet, me qëllim që ta përvetësonin. Vlera e vlerësuar e bustit, në pronësi të trashëgimtares së të ndjerëve, është rreth 320.000 denarë”, thonë mes tjerash nga Prokuroria.