Prokuroria Themelore Publike ka dalë me njoftim në lidhje me aksionet e fundit të policisë, në të cilat janë sekuestruar një sasi e madhe e marihuanës, gjegjësisht rreth 40 tonë.
Nga Prokuroria thonë se janë në komunikim me Prokurorinë Themelore Publike të Republikës së Serbisë, me qëllim shkëmbimin e informacioneve me rëndësi për procedurën që do të ndihmojnë në përcaktimin e një lidhjeje të mundshme midis dy rasteve dhe origjinës së marihuanës.
“Si pjesë e operacionit të gjerë që është kryer në periudhën e kaluar, në të cilin janë sekuestruar mbi 40 ton marihuanë nga disa persona juridikë në territorin e vendit, prokuroria informon publikun se po ndërmerr vazhdimisht aktivitete në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Komisionin për Miratimin e Kultivimit të Kanabisit për Qëllime Mjekësore, në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë”.
“Procedurat po zhvillohen në koordinim të vazhdueshëm me Prokurorinë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, si dhe me prokurorë të tjerë publikë me juridiksion territorial dhe lëndor, të cilët po veprojnë në rastet e veprave penale të përcaktuara në Ligjin për Kontrollin e Drogave Narkotike”.
“Me qëllim përcaktimin e plotë të fakteve dhe rrethanave, prokurori në fjalë nga Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit është në komunikim me Prokurorinë Themelore Publike të Republikës së Serbisë, me qëllim shkëmbimin e informacioneve me rëndësi për procedurën që do të ndihmojnë në përcaktimin e një lidhjeje të mundshme midis dy rasteve dhe origjinës së marihuanës. Njëkohësisht, prokurori publik nga Prokuroria Publike e Republikës së Maqedonisë po ndërmerr veprime të tjera në përputhje me kompetencat e tij ligjore, përfshirë edhe marrjen në pyetje të personave si dëshmitarë, me qëllim mbledhjen e provave dhe fakteve relevante për procedurën”, thonë nga Prokuroria.
Në fund shtojnë se ata i ndërmarrin të gjitha masat për të sqaruar rastin, si dhe do ta informojnë opinionin në kohë.



