Prokuroria interviston Zemajn si të dyshuar për incidentin me qytetarin

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se e ka intervistuar deputetin e LDK-së Armend Zemaj si të dyshuar për sulmin e djeshëm fizik ndaj një qytetari në qendër të Prishtinës. Prokuroria ka thënë se është intervistuar edhe qytetari, të cilit Policia i ka shqiptuar gjobë për prishje të rendit dhe qetësisë publike. Veprimi i deputetit Zemaj po kritikohet nga anëtarë të shoqërisë civile.Mu përballë Kuvendit të Kosovës, sheshi “Ibrahim Rugova” u bë skena e një incidenti fizik në mes deputetit nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj dhe një qytetari.

Incidenti që nisi pasi qytetari e quajti “rrenc” deputetin Zemaj derisa ai po jepte intervistë, përfundoi me të dyja palët në stacion policor për t’u intervistuar.

E tanimë rasti ka arritur edhe në duart e Prokurorisë.

“Prokurori kujdestar ka intervistuar të dyshuarin i cili dyshohet për veprën penale “Sulmi” nga neni 184 te Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Prokurori i shtetit është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për çështjen në fjalë. Për më shumë informacione, ju njoftojmë me kohë. Të dy janë intervistuar nga Prokurori. Të dëmtuarit, Policia e Kosovës i ka lëshuar një tiketë për kundërvajtje për prishje të rendit dhe qetësisë publike”.- Prokuroria Themelore në Prishtinë

Kritik ndaj veprimit të deputetit Zemajt shprehet Instituti i Kosovës për Drejtësi, marrë parasysh pozitën e lartë që ai mban.

“Politikanët duhet të jenë shembull i tolerancës dhe mirëkuptimit edhe në rastet kur janë subjekt i ofendimeve apo sulmeve fizike sikurse ndodhi me rastin e deputetit Zemaj. Politikanët dhe secili që ushtron funksione publike në interes të publikut duhet të shmangin situatat e konfrontimit fizik apo debatet me gjuhë denigruese me qytetarët”-Ehat Miftaraj, Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi.

Gjersa kritikon partinë që sipas tij solli këtë frymë diskursi në pah, Miftaraj nuk kursen as Lidhjen Demokratike.

“Është fakt se si rezultat i politikanëve dhe partive politike me theks të veçantë investimit të madh që ka bërë LVV në polarizimin e shoqërisë dhe ndërtimit të kulturës ku secili që ushtron funksion publik është i korruptuar ose punon kundër interesave të shtetit, po sjell situata ku qytetarë që jetojnë në Kosovë apo jashtë duke u frymëzuar nga ky diskurs po e marrin të drejtën të ofendojnë, fyejnë, kërcënojnë secilin që ka një mendim kritik ndaj qeverisjes”- Ehat Miftaraj – Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi.

Pak pas incidentit, deputeti Zemaj kërkoi falje publike duke theksuar se reagimi i tij ishte në afekt dhe se nuk përfaqësonte bindjet e tij personale dhe as ato si deputet e anëtar i LDK-së.

Në mbështetje Zemajt i doli partia e tij, duke e vlerësuar si sulm veprimin e qytetarit ndaj deputetit, dhe duke thënë se ai përbën cenim të drejtpërdrejt të dinjitetit institucional.

Kërkim faljen e Zemajt e ka mirëpritur Miftaraj, i cili thotë se një gjë të tillë do të duhej ta bënte edhe LDK-ja./Tv Dukagjini