Prokuroria hap rast për vdekjen tragjike të tre fëmijëve në Jabllanicë, trupat e pajetë dërgohen për obduksion në IML

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka njoftuar se me vendim të Prokurorit të Shtetit, trupat e pajetë të fëmijëve që vdiqën tragjikisht në Jabllanicë, janë dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML), si dhe është inicuar rasti “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”, raporton Ekonomia Online.

“Prokuroria Themelore në Gjakovë, në lidhje me ngjarjen tragjike që ka ndodhur në fshatin Jabllanicë, Komuna e Gjakovës, informon publikun se dje në mesnatë nga Policia e Kosovës, jemi njoftuar se është shembur një objekt i pabanuar, duke rezultuar me humbjen e jetës së tre (3) personave të mitur, të cilët
fatkeqësisht ndodheshin brenda tij në momentin e shembjes”, thuhet në njoftim.

“Në vendin e ngjarjes kanë dalë Kryeprokurori, prokurori kujdestar, të gjitha njësit përkatëse të Policisë së Kosovës, si dhe ekipi mjekësor që ka konfirmuar vdekjen e fëmijëve. Me vendim të Prokurorit të Shtetit, trupat e pajetë janë dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML), si dhe është inicuar rast ‘Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm’”.

Po ashtu bëhet e ditur se Prokurori i Shtetit, në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës, po ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme për zbardhjen e këtij rasti.