Projekti i ribashkimit të yjeve: Messi, Ronaldo dhe Casemiro përfundojnë në të njëjtin klub?

Inter Miami dëshiron të sjellë mesfushorin e Manchester United, Casemiro, dhe ekziston gjithashtu mundësia që Cristiano Ronaldo të arrijë në klubin ku luan tashmë Lionel Messi.

Konkretisht, e ardhmja e brazilianit te United është bërë e pasigurt pasi Sir Jim Ratcliffe mori një pjesë të aksioneve në klub dhe dëshiron të ulë kostot e pagave, dhe braziliani është ndër lojtarët më të paguar.

Casemiro është nën kontratë për dy vite të tjera, me mundësi zgjatjeje për një të tretën, por këtë sezon një nga lojtarët më të paguar ka pasur probleme me lëndimet, duke nxitur spekulime të mëtejshme për një largim.

Ai fiton pothuajse 27 milionë euro në sezon, dhe përveç interesit të mëparshëm të klubeve saudite Al-Nassr dhe Al-Hilal, Inter Miami tani është shfaqur si një kandidat serioz për Casemiron.

Sipas The Sun, klubi amerikan e sheh Casemiron si një përforcim të rëndësishëm në projektin e tij për të bashkuar yjet e futbollit, dhe duke vepruar kështu, ai do t’i bashkohej ish-lojtarëve të Barcelonës, Messit dhe Luis Suarez.

Në kontekstin e ardhjes te Inter Miami, përmendet edhe Cristiano Ronaldo, që do të thoshte ribashkimi i tandemit që dominoi Evropën me fanellën e Real Madridit.

Kujtojmë që Casemiro mbërriti te United në vitin 2022 nga Real Madrid për 82.6 milionë euro, dhe këtë sezon ai shënoi pesë gola dhe regjistroi dy asistime në 21 paraqitje.