Programi festiv në Serbi shndërrohet në shovinizëm ndaj shqiptarëve

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, bashkë me ministrin e Brendshëm të Serbisë, Ivica Daçiq, e përkrah tyre edhe i dënuari për krime lufte Vojislav Sheshel, si dhe ekstremisti prorus Misha Vaçiq e të dënuar të tjerë, në një program festiv në një medie serbe, nuk u kursyen nga këngë shoviniste e gjuhë të urrejtjes ndaj shqiptarëve. Veç gjuhës së urrejtjes ndaj shqiptarëve, aty u interpretuan edhe këngë shoviniste ndaj boshnjakëve dhe komuniteteve të tjera.

Ndërsa presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u shfaq në televizionin Informer në një intervistë pothuajse treorëshe, e paraqitur si hyrje e programit festiv, të cilën opozita e cilëson si shembull të “reality-politikës” dhe diplomacisë së improvizuar, përmbajtja që pasoi në këtë media pranë pushtetit u shndërrua në një demonstrim të hapur të nacionalizmit ekstrem, shovinizmit dhe gjuhës së urrejtjes.

Programi i ashtuquajtur “festiv” i Krishtlindjeve, i transmetuar pa asnjë distancë kritike në televizionin Informer, i afërt me presidentin Vuçiq, u zhvillua në një atmosferë që fyeu drejtpërdrejt ndjenjat e popujve të tjerë dhe qytetarëve që nuk i përkasin besimit ortodoks, ndërsa në studio ishin të pranishëm zyrtarë të lartë të Qeverisë së Serbisë.

Gjatë programit disaorësh, u transmetuan këngë shoviniste të mbushura me gjuhë urrejtjeje dhe mesazhe përçarëse. Në tavolinën e studios, përkrah të dënuarit për krime lufte Vojislav Sheshel, këngëtarit Dragan Aahanin, i dënuar me 11 vjet burg për vrasje, si dhe ekstremistit proruse të djathtë Misha Vaciq, u ulën edhe përfaqësuesit më të lartë të pushtetit ekzekutiv. Mes tyre ishin nënkryetari i Qeverisë Ivica Daçiq, disa ministra, ndër to edhe ministri i Drejtësisë, si dhe kryetarja e Kuvendit të Serbisë Ana Brnabiq.

Zyrtarët shtetërorë morën pjesë në një program ku, krahas ushqimit dhe pijeve, u interpretuan këngë fyese dhe nxitëse, përfshirë vargje që promovojnë pretendime të ashtuquajtura “serbomëdha” dhe që drejtohen kundër boshnjakëve, shqiptarëve dhe komuniteteve të tjera joserbe. Në këtë mënyrë, në programin ishin të pranishme elemente të glorifikimit të trashëgimisë së luftës, gjuhës së urrejtjes dhe propagandës së pushtetit personal, duke e shndërruar një festë fetare në një platformë të hapur për radikalizëm politik dhe përçarje shoqërore. Një pjesë e opinionit publik në Serbi e ka vlerësuar këtë përmbajtje si të papranueshme, ndërsa praninë e ministrave dhe funksionarëve të lartë shtetërorë në një program të tillë e ka konsideruar skandaloze. Po ashtu, është ngritur pyetja nëse prokuroria publike do ta vlerësojë këtë rast si vepër penale të nxitjes së urrejtjes ndëretnike dhe fetare.

Ndryshe, kriminelët e luftës dhe ekstremistët të ndryshëm në Serbi shpesh marrin pjesë në programe televizive të mediave proqeveritare, pa asnjë pasojë politike dhe ligjore./ rtk