Profil/ Kush është Avdullah Hoti, kryeministri i ri i Kosovës

Kur i bën varrin tjetrit jo domosdoshmërisht bie vetë brënda. Kryeministri i ri i Kosovës, Avdullah Hoti, është mishërimi se fjala e urtë popullore, jo gjithmonë del e vërtetë.

Ky 44 vjeçar, baba i dy djemve, foli i pari publikisht për rrëzimin e qeverisë së përbashkët me Vetëvendosjen.

Ai, i manipuluar nga dyshja Thaçi- Grenell, që kërkojnë një marrëveshje të shpejtë me Serbinë, e harroi programin që kishte pranuar vetë dhe kërkoi publikisht heqjen e taksës ndaj prodhimeve serbe, madje pa vendosur as reciprocitetin.

Ishte ai që i vuri i pari stërkëmbsha qeverisë së dalë nga vota e 6 tetorit, madje shumë më parë edhe se ministri i brendëshëm Agim Veliu. Si shpërblim për këtë mori një vizitë në Uashington, e ndoshta dhe premtimin për ti zënë vendin Kurtit.

Ky zyrtar që ka ndejtur gjitjnjë në hije si shërbyes i nivelit të dytë, është pikërisht i përshtatshmi që i duhej presidentit të Kosovës, për të marrë një rol protagonisti. Një figurë e squllët dhe e pa dalë nga vota e drejtpërdrejtë e qytetarëve, ishte oguri më i mirë që presidenti të luante rol parësor në dialogun, piketat e të cilit ka hedhur bashkë me Grenellin, Vuçiçin ndoshta dhe Edi.Ramën.

Dhe kështu u bë.

Hoti, zv kryetar i LDK sot është zgjedhur kryeministër i vendit nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, me 61 vota pro, 24 kundër dhe 1 abstenim. Ai do të pasojë Albin Kurtin pas mocionit të shkarkimit të Qeverisë më 25 mars, ku ai pati rolin kryesor.

Kariera politike e zotit Hoti që erdhi pas angazhimit të tij universitar, ka qenë gjithmonë nën hijen e një më të forti.

Gjatë viteve 2006-2007,ai ka qenë Këshilltar i Lartë i Ministrit të Arsimit. Por fati politik do ti ndritëte gjatë viteve 2008-2009, kur u bë Këshilltar për Ekonomi i Kryetarit të Komunës së Prishtinës, Isa Mustafa. Kryetari aktual i LDK e mori me sy të mirë dhe pas një mandati në kabinet (2010-2013) e gradoi edhe Nënkryetar të Komunës së Prishtinës. Prej kësaj kohe Avdullah Hoti ngjiti shkallët edhe në hierarkinë partiake.

Nga viti 2010, u bë anëtar i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, ndërsa në qershor 2014, u zgjedh Deputet i Kuvendit nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Pasi LDK bëri koalicion me Thaçin dhe Isa Mustafa kapi postin e kryeministrit, ai ka shërbyer edhe si ministër i Financave në mes të vitit 2014 dhe deri më 2017.

Në zgjedhjet që pasuan, ato të 11 qershorit 2017, meqënëse kryeministri i rrëzuar nuk pranoi të rikandidonte sërisht, ai caktoi Avdullah Hotin si kandidat për ti prirë partisë në zgjedhje. Fushata e tij qe nga më katastrofiket gjë që e nxori LDK në opozitë. Do duhej që dy vite e gjysëm më pas, kjo parti të përfaqësohej me Vjosa Osmanin, për të rikuperuar konkurueshmërinë dhe votat e humbura.

Megjithëatë, Avdulla Hoti tregoi se ka shkathtësinë e gjithë politikanëve që duhet të kompesojnë mospëlqyeshmërinë nga votuesit. Ai shkeli mbi premtimin për të mos bashkëpunuar me partitë e rrëzuara në 6 tetor, injoroi programin për zëvendësimin e taksës me reciprocitetin, dhe nuk u turpërua aspak të vihej në shërbim të Hashim Thaçit, duke e shitur këtë sjellke publikisht si axhendë amerikane.

Të gjitha këto bënë që më në fund të ngrihet në karigen e kryeministrit të cilën nuk e kapi dot kur garoi vetë si kryesues i listës së LDK në zgjedhje.

Por nganjëherë ajo që nuk arrihet me votë është më e thjeshtë të mbërrihet me kulisa. Merita e Avdullah Hoti është se arriti ta bëjë këtë duke shkelur mbi arkivolin e qeverisë paraardhëse ku shërbeu vetëm shumë pak kohë si zv/Kryeministër.

Ai tani është në krye të një kabineti që varet nga votat e Listës serbe dhe që ka mbi kolë Hashim Thaçin. Një situatë që i shkon fiks një politikani si Avdullai, i cili gjatë gjithë karierës ka qene njish për të qenë dysh.