Shkruan: Daut Dauti
E shikon nga distanca dhe nuk mund t’a përcaktosh nëse bjen në kategorinë e rrugaqit apo kllaunit. Flet keq, shkruan keq dhe vishet edhe më keq. Është edhe i pasjellshëm. Kur e hapë gojën, me fjalinë e parë e sheh që nuk ka njohuri për asgjë. Ka afinitet për të shëprndarë urrejtje. Është e pabesueshme se sa i gërditshëm që është. Çka mund të jetë ky njeri me profesion? Është profesor universitar. (Do të ishte mrekulli sikur ky përshkrim të ishte vetëm për një ‘profesor’ të tillë).
‘Profesori’ i këtillë m’i kujton profesorët e mi. Më kujtohen disa, por në këtë rast më së shumti Fatmir Fehmiu, profesori im i të Drejtës Kushtetuese në Fakultetin Juridik. Njeri që fiste e shkruante bukur. Gjithë atë njohuri që e kishte edhe jashtë shkencave juridike. Kishte dashuri dhe njohuri të madhe për gjuhët, sidomos shqipen, se edhe atë e kishte studjuar. Rrezatonte autoritet dhe fuqi akademike, sikur edhe elegancç në veshje dhe pedantëri në pamje. ‘Ex Cathedra’ në të gjitha aspektet. Kjo ka qenë pak e rëndë për komunikim student-profesor, por atëherë kështu ishte. Në të gjitha aspektet më mirë se sot. Megjithatë, kishte mundësi që t’i afroheshe profesorit, ose ai ty, nëse si student kishe treguar zellin e nxënies së dijes.
Duhet të ketë qenë viti 2005 kur me një mik timin e takuam në qytet dhe ai u ndal të bisedonte me mua, si çdo herë. Duke biseduar dikush ia cingërroi telefonin. Nga xhepi i brendshëm i palltos së dimrit, cingërrima nuk pushonte.
‘Telefoni, profesor’ – i thashë me naivitetin tim sikur që ai nuk e dinte.
‘A po e shesh që jam t’u bisedu me ty?’ – u përgjegj me një habi dhe hidhërim të lehtë ndaj meje.
Kur u ndamë, miku im më tha habi:’A e pa more tipi nuk e çojke telefonin? Ueh, çfarë respekti!’
‘Ky është profesor përnime’ – i thashë.




