Prof.Mustafa Ibrahimi: Sërish anëtar i Lidhjes së Filatelistëve

“Në vitin 1981, si nxënës i vitit të parë në Gjimnazin “Zef Lush Marku” në Shkup u anëtarësova në Lidhjen e Filatelistëve të Maqedonisë, ndoshta si një nga anëtarët më të rinj të saj. Pavarësisht mundësive të kufizuara financiare, arrita të krijoj një koleksion modest pullash postare.
Angazhimet profesionale dhe karriera universitare e lanë për një kohë të gjatë në hije këtë hobi fisnik, por pasioni për filatelinë nuk u shua kurrë. Pas 45 vjetësh, u anëtarësova sërish në Lidhjen e Filatelistëve të Maqedonisë. Kryetari, Sinisha Pavleski, më priti ngrohtësisht dhe më uroi suksese, ndërsa pata kënaqësinë të njihem edhe me filatelistë të tjerë, si Mitko Belçev, Dime Svirkov etj.
Magjia e pullës postare dëshmoi edhe një herë fuqinë e saj për të lidhur njerëz, kujtime dhe breza. Në shenjë mirënjohjeje, bibliotekës së Lidhjes i dhurova dy librat e mi nga fusha e filatelisë: “Nënë Tereza në filatelinë botërore” (Shkup, 2017) dhe “Motivet shqiptare në pullat postare të Maqedonisë së Veriut” (Shkup, 2021)”, ka shkruar ne profilin e tij te facebook’ut, profesor Mustafa Ibrahimi.

Mustafa Ibrahimi, profesor universitar dhe studiues
*Filatelist – person që merret me mbledhjen dhe studimin e pullave postale (markave postale)