Prof. Feraj: “Marrëveshja” Hoti cënon sovranitetin dhe territorin e Republikës së Kosovës

“Marrëveshja” Hoti cënon sovranitetin dhe territorin e Republikës së Kosovës:
1. Sovraniteti është kontrolli, pushteti, i vetmi dhe më i larti mbi një territor dhe popullsi.
Me ndarjen e pushtetit të Republikës së Kosovës me Republikën e Serbisë mbi territorin e Republikës së Kosovës, qoftë sipërfaqe, qoftë thellësi, është tashmë shkelje e sovranitetit, bashkëndarje e pushtetit të shtetit të Kosovës, që do duhej me qenë i vetmi, me një shtet tjetër.
2. Kufijtë janë ndërgjegjja e palëve për territorin që kontrollohet nga një sovran, pushtet, i vetmi dhe më i larti. Vijat dhe shenjat fizike të territorit janë vetëm manifestimi pamor i asaj ndërgjegjeje. Kufiri vlen pa shenjat fizike: edhe sikur të mos ketë asnjë shenjë pamore, kufiri ekziston kur palët janë të ndërgjeshme për deri ku shtrihet pushteti i tyre i vetëm, dhe përtej të cilit nuk kanë pushtet. Shenjat fizike nuk vlejnë pa atë ndërgjegje dhe vullnet.
Me “marrëveshjen” për ushtrimin e përbashkët të pushtetit nga RK dhe RS, kufiri ndërmjet RK dhe RS ka rënë, sepse, qoftë dhe bashkërisht, megjithatë hapësira e ushtrimit të pushtetit të RS është shtrirë brenda hapësirës që RK e mëtonte për të vetin. Palët janë të ndërgjegjshme se nuk ka asnjë pikë deri ku shtrihet pushteti i vetëm i RK. “Marrëveshja” Hoti, e shkel kufirin e RK jo vetëm në Ujman, por pa përcakim, kudo ku ka burime natyror, kisha serbe, etj.
Ky është ndryshim i kufirit të RK më i rëndë sesa në rastin e Çakorrit, dhe madje sesa të vetë “këmbimit” të përfolur të territoreve, por sipas të cilit së paku do të dihej territori i secilit shteti sovran.
Të dy shkeljet janë të lidhura, sepse vetë shkelja e sovranitetit të shtetit sjell domosdo shkeljen e kufirit, përderisa sovraniteti kupton kontrollin e vetëm të territorit dhe popullsisë.
3. “Marrëveshja” Hoti nuk mund të paraqitet për miratim në Kuvendin e RK, sepse nuk përmbush kushtet e marrëveshjes: nuk ka së paku dy palë që e kanë miratuar, duke e shprehur këtë miratim me nënshkrimin e tyre, nuk i ka të identifikuar sakt subjektet me zotësi juridike për të vepruar, etj. Thjesht “Serbia” dhe “Kosova”, “Beogradi” dhe “Prishtina”, pa emërtimin zyrtar të tyre, i njohur si i tillë, nuk janë subjekte të së drejtës ndërkombëtare.
Në një dokument të vlefshëm juridikisht, synektoda, përdorimi i emrit të pjesës për të tërën, dhe akronimet, shkurtimet në shkronjat e para të emrave, kanë vlerë vetëm mbasi është përdorur në fillim emërtimi i plotë dhe pastaj është thënë se në vijim do të shënohen akronimet. Ndërsa synektoda është e pazakontë në dokumentet juridikë, duke iu lënë kryesisht letërsisë si figurë stilistike, dhe Kuvendi nuk miraton vepra letrare.
Sigurisht “marrëveshja” ka shumë elementë të tjerë që e zhbëjnë natyrën e saj të një dokumenti juridik, por këtë veshtrim mund ta bëjnë mirë vetë juristët.