Prof. Arianit Reka reagon ndaj ministres së Arsimit në debatin në UT: Ky nuk është ligj reformues, por centralizim dhe diskriminim

Në debatin e zhvilluar në Universiteti i Tetovës me ministren e Arsimit, profesori Arianit Reka reagoi ndaj qasjes dhe përmbajtjes së draft-ligjit për arsimin e lartë, duke ngritur një sërë shqetësimesh lidhur me, siç tha ai, tendencat centralizuese dhe diskriminuese të tij.

Reka theksoi se ligji duhet të shërbejë për zgjidhjen e problemeve të universiteteve dhe jo për krijimin e pengesave të reja. Ai kërkoi që çështja e diplomave në gjuhën shqipe të rregullohet qartë me ligj, duke theksuar se studentët shqiptarë në të gjitha universitetet e vendit duhet të pajisen me diploma dhe dokumente edhe në gjuhën shqipe. Sipas tij, lënia e kësaj çështjeje në nivel statuti ka bërë që në praktikë ajo të mos zbatohet, përfshirë edhe në Universiteti i Shën Kirilit dhe Metodit në Shkup.

Një tjetër shqetësim i ngritur ishte formulimi i paqartë i disa dispozitave që, sipas Rekës, mund të kufizojnë të drejtën e veshjes mbi bazë bindjeje apo besimi, duke hapur mundësi për diskriminim.

Ai reagoi edhe ndaj kufizimeve për hapjen e ciklit të tretë të studimeve në Universiteti “Nënë Tereza” dhe në Universitetin e Tetovës, duke e cilësuar si pengesë për zhvillimin akademik dhe shkencor të universiteteve shqiptare, pavarësisht kapaciteteve ekzistuese në staf akademik.

Reka ngriti po ashtu çështjen e asistentëve që prej 12–13 vitesh punojnë me orar të pjesshëm pa zgjidhje afatgjate, si dhe kundërshtoi idenë që Ministria të ketë të drejtë të miratojë ose refuzojë planet financiare të universiteteve, duke e konsideruar këtë si cenim të autonomisë universitare.

Në aspektin e financimit, ai përmendi se në vitin 2025, nga 5 milionë euro të ndara për shkencë, vetëm 2.5% iu dedikuan Universitetit të Tetovës, ndërsa Universiteti “Nënë Tereza” nuk përfitoi mjete, duke e cilësuar këtë ndarje si disproporcionale.

Në vijim reagimi i plotë i profesorit Reka:

Sot, në debatin në Universitetin e Tetovës me ministren e arsimit, patëm një përplasje, sepse përballë arrogancës dhe padrejtësisë, heshtja nuk është opsion.

Qasja arrogante ndaj kërkesave legjitime nuk kalon as në UT, as në UNT. Jo më. Ligji duhet t’i zgjidhë problemet e universiteteve, e jo t’u krijojë atyre probleme të reja.

Për të mos përsëritur atë që u tha nga parafolësit, u fokusova në këto çështje:

1. Diplomat dhe çdo dokument tjetër për studentët shqiptarë, në të gjitha universitetet e vendit, duhet të jepen edhe në gjuhën shqipe, dhe kjo të përcaktohet qartë në ligj, jo të lihet në statut. Deri tani, pikërisht sepse është lënë të rregullohet me statut, asnjë shqiptar që ka kryer studimet qoftë në UKIM apo diku tjetër nuk e ka marrë diplomën në gjuhën shqipe. Kjo është e drejtë kushtetuese dhe duhet të rregullohet me ligj, jo me statut.

2. Ky draft-ligj ka tendencë serioze të kufizojë veshjen mbi bazë bindjeje/besimi, duke lënë formulime të paqarta që mund të keqpërdoren. Një ligj për arsimin e lartë nuk duhet të hapë derën e diskriminimit, por ta mbyllë atë.

3. Ligji është diskriminues ndaj hapjes së ciklit të tretë të doktoratës për Universitetin e Tetovës (UT) dhe Universitetin “Nënë Tereza” (UNT). Në vend që të forcojë kapacitetin akademik dhe kërkimor të universiteteve shqiptare, ky ligj i pengon ato. Nga njëra anë kemi mbi 60% të stafit akademik në thirrje profesor inordinar dhe ordinar, ndërsa nga ana tjetër nuk na lejohet cikli i tretë.

4. Asnjë përgjigje konkrete për asistentët që punojnë 12-13 vite me orar të pjesshëm. Janë pikërisht këta që e mbajnë sistemin gjallë prej vitesh, ndërsa shteti vazhdon t’i trajtojë si të përkohshëm.

5. Është tendencioze dhe e papranueshme që Ministria të ketë të drejtë të aprovojë ose të mos aprovojë planet financiare/buxhetore të universiteteve. Kjo nuk është reformë. Kjo është centralizim politik dhe cenim i drejtpërdrejtë i autonomisë universitare.

6. Decentralizim të buxhetit të Ministrisë, që mjetet për shkencë t’u ndahen universiteteve dhe ato vetë të vendosin për prioritetet e tyre. Vetëm kështu mund të shmanget përsëritja e padrejtësive si në vitin 2025, kur ndarja u bë në mënyrë skandaloze dhe disproporcionale. Në vitin 2025, nga 5 milionë euro investime në shkencë, vetëm 2.5% për UT, ndërsa për UNT: zero. Pra, jo vetëm që nuk investohet në universitetet shqiptare, por me këtë ligj kërkohet edhe frenimi i tyre institucional.

7. Nevoja për pasaportë digjitale akademike për studentët, si instrument modern që lehtëson transferin, mobilitetin, njohjen e lëndëve/provimeve dhe procedurat administrative ndëruniversitare. Ligji duhet të hapë rrugë për lehtësim të studentit, jo për burokraci të re.

Ky nuk është ligj reformues; kjo është arrogancë dhe padrejtësi e paketuar si ligj. Le të shohim kush do ta ketë fjalën e fundit, arroganca dhe padrejtësia, apo e drejta.

Të reflektojmë, të gjithë. Pa përjashtime.