Procesi ndaj katërshes së UÇK-së, nis sot fjala përmbyllëse e mbrojtjes së Thaçit

Former Kosovo president Hashim Thaci, left, appears before the Kosovo Tribunal as he defends himself against charges including murder, torture and persecution allegedly committed during his country's war for independence from Serbia in the Hague, Monday, April 3, 2023. The trial of Kosovo's ex-president and three other former high-ranking members of the Kosovo Liberation Army charged with war crimes and crimes against humanity opens Monday. (Koen van Weel/Pool via AP) LGK101

Sot në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë nis paraqitja e fjalës përmbyllëse të mbrojtjes së ish-presidentit Hashim Thaçi, në kuadër të fazës përfundimtare të procesit gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Siç ka njoftuar avokati i Thaçit, Lluka Mishetiq, ai do ta fillojë deklaratën përmbyllëse nga ora 09:00. Kjo vjen në ditën e tretë të paraqitjeve përfundimtare në një prej proceseve më të mëdha që po zhvillohet në Hagë.

Një ditë më parë, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka përmbyllur fjalën e saj përfundimtare, ndërsa më pas para trupit gjykues është paraqitur edhe mbrojtësi i viktimave. Prokuroria ka deklaruar se gjatë hetimeve ka administruar mbi pesë mijë prova materiale dhe ka intervistuar më shumë se 130 dëshmitarë.

Kryeprokurorja e Specializuar, Kimberly West, ka kërkuar dënim me nga 45 vjet burgim për secilin prej të akuzuarve – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi që në total nënkupton 180 vjet burgim.

Gjatë paraqitjes së saj, prokuroria ka pretenduar se Thaçi “i ka gënjyer disa herë ndërkombëtarët”, duke iu referuar sipas saj, dëshmive të James Rubin dhe Wesley Clark.

Kërkesa për dënime ka nxitur reagime nga liderë në Kosovë dhe rajon, të cilët kanë vlerësuar se një masë e tillë nuk mbështetet në standarde ndërkombëtare dhe kanë theksuar se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka zhvilluar një luftë të drejtë.

Faza e deklaratave përmbyllëse përbën etapën e fundit të këtij procesi gjyqësor. Prokuroria, mbrojtësi i viktimave, ekipet e mbrojtjes dhe të akuzuarit do të kenë mundësinë që gjatë kësaj dhe javës së ardhshme t’i paraqesin për herë të fundit argumentet e tyre para trupit gjykues.

Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi përballen me akuza të ngritura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, të cilat i kanë hedhur poshtë si të pabazuara. Mbrojtja ka argumentuar se UÇK-ja nuk kishte një strukturë të organizuar komanduese dhe se përgjegjësia individuale nuk është provuar.

Gjykimi ndaj tyre ka nisur më 3 prill 2023, gati tre vjet pas konfirmimit të aktakuzës, ndërsa ish-krerët e UÇK-së vazhdojnë të mbahen në paraburgim në Hagë që nga ajo kohë.