Problemet e klimës , kërkojnë angazhim konkret të vendeve të zhvilluara

Vendet e zhvilluara duhet të përmbushin premtimin e tyre për dhënien e 100 miliardë dollarëve për financimin klimatik sa më shpejt të jetë e mundur dhe të hartojnë një program për dyfishimin e fondit të përshtatjes, u shpreh i dërguari i posaçëm për Ndryshimin Klimatik i Kinës Xie Zhenhua ,në një fjalim në Samitin e Zbatimit Klimatik në sesionin e 27-të të Konferencës së Palëve (COP27) të Konventës Kuadër të Kombeve të Bashkuara mbi Ndryshimin Klimatik, të mbajtur në qytetin bregdetar të Egjiptit Sharm El-Sheikh.

Përballë sfidave të vështira nga ngjarjet e shpeshta të motit ekstrem, që kanë shkaktuar humbje të mëdha në çdo kontinent, dhe nga shfaqja e krizave energjetike dhe ushqimore këtë vit, multilateralizmi, solidariteti e bashkëpunimi mbeten e vetmja mënyrë për të dalë nga vështirësia, theksoi Xie. Ai shtoi që parimi i përgjegjësive të përbashkëta, por të ndryshme, dhe mekanizmi i kontributeve të përcaktuara kombëtare janë ende “zgjedhja e pashmangshme” për të kapërcyer sfidat klimatike.

“Vendosmëria e Kinës për të zbatuar objektivat e arritjes së kulmit e të asnjanësimit të karbonit dhe për të marrë pjesë aktive në qeverisjen globale të klimës nuk do të ndryshojë kurrë,” theksoi Xie.

Ai shprehu shpresën se COP27 do të përqendrohet në përmbushjen e premtimeve, duke u kërkuar vendeve të zhvilluara të udhëheqin në bërjen e përpjekjeve më të efektshme për të ulur lëshimet, për të arritur asnjanësimin e karbonit shumë më përpara planit dhe për të pasur arritje domethënëse në çështjet e përshtatjes dhe financimit.

Kina shpreson se “vendet e zhvilluara do të përmbushin premtimin e tyre për dhënien e 100 miliardë dollarëve sa më shpejt të jetë e mundur dhe do të hartojnë një program për dyfishimin e financimit të përshtatjes, për të rritur besimin e ndërsjellë dhe veprimin e përbashkët midis Veriut dhe Jugut,” tha i dërguari i posaçëm për Ndryshimin Klimatik i Kinës Xie Zhenhua.