Vebi Abazi nga fshati Brodec i Tetovës, pretendon se Ministria e Financave dhe Gjykata e Tetovës, i kanë shkelur të drejtën për denacionalizimin e tokës së tij prej 2900 hektarësh në dalje të qytetit. Vetëm disa ditë pasi institucionet e lartpërmendura kanë miratuar vendimin që toka t’i kthehet, të njëjtin e kanë anuluar me arsyetimin se, kthimi i kësaj toke, prish gjelbërimin e qytetit edhe atë, pa të drejtë ankese. Megjithatë toka në kadastër është e regjistruar si tokë ndërtimore dhe jo si zonë e gjelbër.
Më erdhi vendimi që më është kthyer toka, duhej ta verifikojë gjykata e Tetovës sepse komisioni ma ktheu, pastaj me erdhi përgjigjja, gjithën jo por vetëm 2900 hektarë janë tuat. Pastaj erdhën në këtë datë ti vendosin kufijtë, por foli në telefon dhe tha mblidhni mjetet do vijmë pas dy javësh. Por kot, pas dy muajsh më erdhi vendimi tjetër që është anuluar vendimi i parë dhe nuk më dhanë të drejtë më të ankohem – u shpreh Vebi Abazi, pronar i tokës.
Vebi Abazit për kthimin e tokës së tij, pas sjelljes së vendimit, i është kërkuar që të paguajë një shumë prej 4200 eurosh në llogari të Ministrisë së Financave, me qëllim që toka të kalojë në pronësi të tij. Por që prej vitit 2008, Abazi nuk mund të kthejë as tokën e tij e as paratë e paguara.
Më kërkuan të paguaj 266.000 den që të bëhet e plotfuqishme, e bëra pagesën më erdh e plotfuqishme por kot, tash as paratë mi kthejnë as tokën – tha Vebi Abazi, pronar i tokës.
Rastin Vebi Abazi e ka paraqitur edhe te zyra e Avokatit të Popullit por nuk ka marr asnjë përgjigje. Ndërkaq nga Ministria e Financave, për Alsat thonë se vendimi është në fazë përpilimi dhe se paratë Vebi Abazit do ti kthehen për pak ditë, por nuk sqarojnë përse kanë anuluar vendimin për kthimin e tokës. Gjykata themelore e Tetovës pa përgjigje, thotë se për këtë lëndë do të prononcohen brenda disa ditësh.