Qytetarët e Maqedonisë së Veriut thonë se në plan të parë, në dëshirat që kanë për vitin e ri 2020 mbetet shëndeti, që duket se do të jetë sfidë më vete për shkak të ajrit të ndotur. Ata, gjithashtu, kërkojnë edhe kushte më të mira në punë, ndonëse theksojnë se mbetet shumë problematike ndërhyrja e politikës në punën e institucioneve, shkruan REL.
Të anketuarit shprehen shumë pak optimistë se anëtarësimi në NATO do të ndryshojë cilësinë e jetesës së qytetarëve, edhe pse theksojnë se kjo në masë të madhe paraqet siguri.
Muharem Ajdari, profesor në gjimnazin e Shkupit “Zef Lush Marku”, thotë se më e rëndësishmja dëshirë mbetet shëndeti dhe në aspektin profesional thotë se uron që autoritetet përkatëse, t’u qasen më me përkushtim reformave në sistemin arsimor.
“Nga 2020-ta presim së pari të kemi shëndet dhe të gjitha të mirat, ndërsa sa i përket anës profesionale, duhet të vazhdojnë reformat në arsim, edhe atë reforma të mirëfillta para së gjithash duhet të bëhen edhe ndryshime në ekipet që i realizojnë reformat në arsim”, thotë Ajdari.
Osman Ameti, me profesion aktor, shpreson që këtë vit, përkatësisht 2020 përfundimisht do të ketë këmbë të mbarë për Teatrin Shqiptar, përkatësisht të përfundojë më në fund renovimi i këtij objekti që po zgjat qe shumë vjet. Megjithëse me të qeshur, si aktor, thotë se shpreson që politikanët mos të bëjnë më shumë teatër se vetë aktorët meqë 2020-ta pritet të jetë vit i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
“Në aspektin profesional, si aktor i ansamblit, gjatë 2020-s presim që të fillojë të funksionojë godina e meremetuar me realizmin e repertorit të teatrit shqiptar, se punimet vërtet janë zvarritur, kjo është në aspektin profesional”.
“Dhe, e dyta, meqë sipas të gjitha gjasave do të kemi zgjedhje, t’i kalojmë më lehtë, sepse për hir të së vërtetës zgjedhjet te ne janë paksa dhe traumë”, shprehet Osmani./REL