Pritet rritje e çmimeve të banesave në Kosovë

Çmimet në sektorin e patundshmërisë gjatë vitit 2023 kanë shënuar rritje, e cila pritet të përcillet edhe gjatë këtij viti.

Pronari i një agjencie për patundshmëri në vend, i cili merret me patundshmëri, qiradhënie dhe shitblerje, Dukagjin Avdyli thotë për KosovaPress se edhe vitin që shkoi kishte rritje të çmimeve, ndërsa shprehet se rritje do të këtë edhe gjatë këtij viti, për shkak se trendi është në rritje.

Avdyli thotë se në rritjen e çmimeve kanë ndikuar faktorë të ndryshëm, ku një ndër to është edhe rritja e pagave të fuqisë punëtore në ndërtim.

“Nëse e marrim historikisht në kohështrirje prej 10-12 që përcjelli unë, gjithmonë çmimet kanë shkuar duke u shtrenjtuar. Mirëpo, prej pandemisë dhe pasluftës në Ukrainë, çmimet janë rrit në mënyrë drastike. Shembull rreth vitit 2013 në Fushë Kosovë ka qenë çmimi rreth 450 euro për metër katror, në 2020 kanë filluar të rriten mbi 500 euro, pastaj lufta në Ukrainë i ka quar çmimet në 600 euro, ndërsa sivjet ka shkuar çmimi në 700 euro deri në 800 euro për metër katror në Fushë Kosovë. Kjo për shkak se çmimet janë rritur në çdo sferë të jetës, por edhe për shkak të punëtorëve. Nëse një punëtor më herët ka marrë 600 euro rrogë, sot e merr 800 deri në 1 mijë në ndërtim, po ashtu edhe materialet ndërtimore të gjitha… Por, sërish Fushë Kosova është prej vendeve më të lira në Kosovë për çmimet e patundshmërive”, thekson ai.

Sipas raportit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për tre mujorin e dytë 2023 sektori i patundshmërisë mbulon 60.0 për qind e përgjithshme të Investimeve të Huaja Direkte apo 110.6 milionë euro për periudhën prill-qershor 2023.