Priten përplasje në Speciale, në dhjetor kërkohet të nis gjykimi ndaj krerëve të UÇK-së

Para nisjes së seancës, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka dërguar me anë të parashtresave çështjet që pritet t’i shtrojë sot, shkruan lajmi.net.

Seanca e sotme pritet të zhvillohet nën debate të zjarrta mes avokatëve dhe Prokurororëve Special, pasi që këta të fundit tanimë kanë një datë kur pretendojnë të nis gjykimi.

Sipas parashtresave për seancën e sotme, Prokuroria pretendon se mund ta përmbyllë transferin e materialit paragjyqësor, përfshirë edhe atë të dëshmitarëve qysh në muajin shtator të këtij viti.

Ata kërkojnë që gjykimi të nis pas tre muajsh, konkretisht në muajin dhjetor.

“Për arsyet e përshkruara më parë, dhe në përputhje me kornizat dhe praktikat e zbatueshme dhe me praktikë të vendosur në raste komplekse ndërkombëtare, është e arsyeshme që marrëdhënia duhet të ruhet ndërmjet afatit të fundit për dorëzimin e Rregullës 95 (4) për materialet dhe fillimin e gjykimit. Duke marrë parasysh zbulimin e rishikuar, orarin e përshkruar në Vendimin për Kategorizim, si dhe atë shtesë, barra e kategorizimit e vendosur mbi SPO në bazë të këtij vendimi, dhe në këtë bazë ai gjykim do të fillonte brenda tre muajve pas kësaj. SPO parashikon të jetë në një pozicion për të paraqitur materialin e tij të Rregullës 95 (4) (d.m.th. Dosja paraprake dhe dëshmitarët dhe listat e ekspozitave) deri në javën e dytë të shtatorit 2021 me gjykimin që fillon në dhjetor 2021”, thuhet në parashtresën e Prokurorisë.

Mirëpo kjo pritet të kundështohet fuqishëm nga avokatët mbrojtës të krerëve të UÇK-së, të cilët si datë të mundshme e shohin vetëm fundin e vitit të ardhshëm apo fillimin e vitit 2023.

Madje, shumica e avokatëve tanimë kanë bërë të ditur se as që kanë filluar me hetimet e tyre për shkak të gjendjes me pandeminë e COVID-19 që ka pamundësuar udhëtimin normal në Kosovë.