Prishtinë, 6 vjet burg për serbin që torturoi shqiptarët

Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka shpallur aktgjykimin kundër të akuzuarit Nenad Arsiq për veprën penale se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale krimet e luftës kundër popullsisë civile shqiptare.

I akuzuari N.A. është shpallur fajtor për këtë vepër penale dhe është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 6 vjet, në të cilin dënim i llogaritet koha e kaluar në paraburgim prej datës 22.10.2019 e tutje, ndërsa me aktvendim të posaçëm të njëjtit i vazhdohet masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e këtij aktgjykimi.

Më datë 21.05.1999, gjatë periudhës kohore nga ora 08:00 deri në 16:00, i akuzuari N.A, në bashkëkryerje me persona të tjerë të forcave policore serbe, deri më tani të paidentifikuar, mori pjesë në aksionin kundër popullatës shqiptare, ashtu që me automjetet policore kishin ardhur në pronën e familjes SH., në “Emshir” të Prishtinës, me ç ‘rast me dashje dhe në bashkëkryerje me pjesëtaret tjerë të forcave policore, kishin cenuar rëndë integritetin trupor, shëndetin dhe gjendjen fizike e mendore të të dëmtuarve J.SH. dhe S.SH, duke i rrahur me mjete të forta drunj dhe shkopinj në pjesë të ndryshme të trupit, duke i fyer si dhe me dashje kishte marrë pjesë në poshtërimin dhe trajtimin çnjerëzor, ashtu që të dëmtuarin J.SH, i cili edhe pse ishte në gjendje të rëndë shëndetësore, e kishin detyruar që të pijë alkool dhe të këndojë këngë serbe, me çka të dëmtuarve iu kishin shkaktuar vuajtje të mëdha shpirtërorë dhe dëmtime trupore, ku si pasojë e dhunës së ushtruar ndaj tyre të dëmtuarit J.SH. dhe S.SH vuajnë edhe sot.

Të njëjtën ditë, kohë dhe në vendin e lartcekur, i akuzuari N.A. në bashkëkryerje më persona të tjerë të forcave policore – serbe, gjatë aksionit kundër shqiptarëve, me dashje kishte marrë pjesë në shkatërrimin e paligjshëm dhe të qëllimshëm të pasurisë si dhe përvetësimin e pasurisë, që nuk mundë të justifikohet me nevojat ushtarake, ashtu që në kërkim të parave dhe gjërave me vlerë, kishin bastisur shtëpitë e familjes SH., me ç ‘rast i kishin dëmtuar mobilet dhe orenditë e tjera shtëpiake, objektet ndihmëse, ku kishin gjetur dhe përvetësuar një sasi të konsiderueshme të hollave, sasi të mëdha të naftës, makineri bujqësorë dhe vetura që i përkisnin familjes SH. dhe të dëmtuarve tjerë V.H dhe H.B.

Palët kanë të drejtë ankese kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.