Prindërit duan kthimin e fëmijëve në shkolla

Ministria e Arsimit e Maqedonisë së Veriut ka hartuar në tri skenarë për vitin e ri shkollor 2021/2022, që do të aplikohen, varësisht prej gjendjes epidemiologjike në vend.

Ministrja e Arsimit, Milla Carovska, tha të hënën se skenari më i mirë do të ishte që të gjithë nxënësit, në muajin shtator të kthehen në shkolla për ta vazhduar mësimin me prani fizike. Por, në rast të përkeqësimit të gjendjes me pandeminë e koronavirusit, atëherë mësimi mund të zhvillohet me sistem të kombinuar apo që nxënësit të ndahen në grupe.

“Të gjithë, unë, kryeministri Zoran Zaev dhe ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, duam që viti shkollor të fillojë me skenarin e parë, me hapjen e plotë të shkollave në përputhje me protokollet shëndetësore për të gjitha klasat dhe për të gjitha vitet. Skenari i dytë është që nxënësit nga klasa e parë deri në të katërt mësimin ta ndjekim me prani fizike, pjesa tjetër me mësim online dhe skenari i tretë parasheh që nxënësit të ndahet në dy grupe, me nga një javë mësim në shkolla”, ka deklaruar ministrja e Arsimit, Milla Carovska.

Viti shkollor 2020/2021 kishte filluar më 1 tetor 2020, me një muaj vonesë, për shkak të pandemisë, ndërsa nxënësit nga klasa e parë deri në të tretën mësuan me prani fizike, ndërkaq nxënësit e tjerë, përfshirë edhe ata të shkollave të mesme, procesin edukativo-arsimor e ndoqën online.

I gjithë viti shkollor u përcoll me reagime e protesta nga nxënësit, prindërit e shoqatat e arsimit duke kërkuar kthimin e nxënësve në shkolla, sikur edhe në vendet e rajonit, por kërkesat e tyre nuk u përfillën nga Ministria e Arsimit, e cila pretendon se viti shkollor me mësim online ishte i suksesshëm. Por, të kundërtën vlerësuan një grup i prindërve, i tubuar në rrjetin social facebook, duke e vlerësuar të dështuar vitin shkollor.

Ata vazhdojnë të kërkojnë kthimin e nxënësve në shkolla ndërsa kundërshtojnë edhe reformat për digjitalizimin e teksteve shkollore dhe përmbajtjen e tyre.

“Tani është koha të reagojmë dhe ne inkurajojmë të gjithë mësimdhënësit e profesorët që të qëndrojnë në anën e fëmijëve dhe të një sistemi arsimor të shëndoshë. Ne kërkojmë kthimin e nxënësve në shkolla sikur që kundërshtojmë edhe reformat për digjitalizimin e arsimit apo heqjen e librave, por edhe shumë risi të tjera që parashihen me ndryshimin në Ligjin në arsim”, ka deklaruar Dragana Spasevska nga grupi i prindërve “Libra dhe mësim patjetër të ketë”.

Profesori i pedagogjisë, Xheladin Murati thotë për Radion Evropa e Lirë se mësimi me praninë fizike të nxënësve në shkolla nuk mund të ketë alternativë.

“Nxënësit duhet të shkojnë në shkollë dhe besoj se me gjendjen aktual të pandemisë, shtatori nxënësit do t’i gjejë në bankat shkollore. UNESCO dhe shumë organizata shëndetësore preferojnë që nxënësit mësimin ta ndjekin në shkolla. Mësimi më efikas është kur nxënësi është para mësuesit dhe mësuesi para nxënësit”, thotë Murati./REL