Princi William u bën një vizitë të papritur ushtarëve pranë kufirit Ukrainë-Poloni

Princi William i Britanisë bëri një udhëtim të rrallë, të paparalajmëruar në Poloni të mërkurën, duke takuar trupat britanike dhe polake të stacionuara pranë kufirit ukrainas-polak dhe duke vlerësuar “bashkëpunimin e tyre në mbështetje të popullit të Ukrainës dhe lirisë së tyre”, raporton CNN, transmeton Klan Kosova.

Princi i Uellsit vizitoi fillimisht bazën e Forcave të Mbrojtjes Territoriale të Brigadës së 3-të në Rzeszów, ku takoi ministrin polak të Mbrojtjes Mariusz Blaszczak dhe pa një ekspozitë të pajisjeve ushtarake.

Teksa ishte atje, ai foli me ushtarët britanikë dhe polakë për shoqërinë e fortë që është krijuar që kur ata filluan të punojnë së bashku.

Më pas, 40-vjeçari mbretëror u takua me anëtarë të Forcave të Armatosura Britanike për të mësuar më shumë se si ata kanë bashkëpunuar me homologët e tyre polakë duke kryer operacione në mbështetje të Ukrainës.

Duke zbritur në kryeqytetin polak të Varshavës, William tha në një deklaratë se ishte “fantastike” të kthehej në Poloni.

“Kombet tona kanë lidhje të forta. Nëpërmjet bashkëpunimit tonë në mbështetje të popullit të Ukrainës dhe lirisë së tij, që janë edhe liritë tona dhe tuajat, këto lidhje forcohen më tej”, tha trashëgimtari i fronit britanik.