Tirana u përfshi nga tensione të forta politike, pasi qindra protestues sulmuan me bomba molotov godinën e Kryeministrisë, duke kërkuar dorëheqjen e qeverisë së Edi Ramës, shkruan media prestigjoze britanike The Telegraph.
Protestat shpërthyen pas ngritjes së aktakuzës për korrupsion ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku, një nga figurat më të rëndësishme të kabinetit qeveritar.
Artikulli i The Telegraph:
Protestuesit në kryeqytetin shqiptar hodhën bomba molotov drejt ndërtesës ku ndodhet zyra e kryeministrit Edi Rama të hënën, duke shprehur zemërimin ndaj qeverisë pas vendimit të prokurorëve për të ngritur akuza ndaj zëvendëskryeministres për korrupsion të dyshuar.
Tensionet politike në vendin ballkanik janë përshkallëzuar gjatë javëve të fundit, pas akuzave ndaj Belinda Ballukut. Ajo, së bashku me disa zyrtarë të tjerë dhe kompani private, dyshohet se ka përdorur fonde publike për të favorizuar subjekte të caktuara në projekte madhore infrastrukturore.
Muajin e kaluar, Balluku i hodhi poshtë akuzat në parlament, duke i cilësuar ato si “shpifje, insinuata, gjysmë të vërteta dhe gënjeshtra”, ndërsa deklaroi se do të bashkëpunojë plotësisht me drejtësinë.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) i ka kërkuar kësaj jave parlamentit heqjen e imunitetit të saj dhe lejimin e arrestimit. Ende nuk dihet se kur do të zhvillohet votimi në Kuvend, ku Partia Socialiste e kryeministrit Rama mban shumicën e vendeve.
Gjatë protestës së së hënës në Tiranë, forcat e policisë me pajisje për ndërhyrje të shpejtë rrethuan godinën e qeverisë, por nuk ndërhynë për të shpërndarë protestuesit.
“Na ka ardhur në majë të hundës. Po flasim për dhjetëra e qindra milionë euro të vjedhura dhe ajo ende nuk jep dorëheqjen. Kjo është e turpshme”, tha Arben Sulo, një nga protestuesit.
Belinda Balluku mban gjithashtu postin e ministres së Infrastrukturës, një dikaster që administron qindra milionë euro për projekte të mëdha publike, përfshirë ndërtimin e rrugëve, urave dhe tuneleve.
© SYRI.net




