Presidentja Siljanovska-Davkova mori pjesë në darkën e organizuar nga Macron: Të fokusuar në fuqizimin e paqes globale

Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova mbrëmë mori pjesë në darkën zyrtare të organizuar nga presidenti francez Emmanuel Macron, në nder të mysafirëve në Forumin e Paqes në Paris, përcjell TV21.

“Mbrëmë mbrëma mora pjesë në darkën zyrtare të organizuar nga presidenti francez Emmanuel Macron, në nder të mysafirëve të lartë të Forumit të Paqes në Paris. Në një atmosferë të këndshme zhvilluam biseda të fokusuara në fuqizimin e paqes globale. Vetëm përmes respektit dhe mirëkuptimit të ndërsjellë mund të krijojmë kushte për përparim dhe një të ardhme më të sigurt për të gjithë”, shkroi presidentja në profilin e saj në Facebook.

Presidentja Siljanovska-Davkova shprehu dakordësinë me presidentin francez Macron, i cili gjatë #ParisPeaceForum2025 theksoi rrezikun nga informacionet e rreme, të cilat përmes krijimit të narrativave radikale dëmtojnë proceset demokratike.

“Respektimi i identitetit kombëtar dhe kulturor, solidariteti, sundimi i ligjit dhe dinjiteti i njeriut — si qëllime themelore të BE-së — mund të arrihen vetëm përmes informacionit të saktë, i cili nuk është i ndikuar nga algoritme të bazuara në fitim të rrjeteve sociale dhe profile të rreme që shkatërrojnë debatet publike dhe rrezikojnë demokracinë”, shkroi Siljanovska-Davkova në Facebook.

Forumi i Paqes në Paris, i themeluar në vitin 2018, është një platformë ndërkombëtare për promovimin e qeverisjes globale, paqes dhe bashkëpunimit multilateral.