Policia kundër trazirave përdori gaz lotsjellës dhe topa uji për të shpërndarë mijëra demonstrues që ishin mbledhur mbrëmë në kryeqytetin gjeorgjian, Tbilisi për të protestuar kundër ndryshimit të papritur të qëndrimit të qeverisë gjeorgjiane për procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE).
Protestuesit filluan të mblidhen pranë parlamentit të Gjeorgjisë pas njoftimit të kryeministrit, Irakli Kobakhidze për pezullimin e përpjekjeve për anëtarësim në BE, duke deklaruar se “Gjeorgjia duhet të bëhet anëtare e BE-së me dinjitet, jo duke u shantazhuar”.
Ai shtoi se përpjekjet për anëtarësim nuk do të rinisin deri në fund të vitit 2028, kur përfundon mandati i katërt i qeverisë në pushtet, “Georgian Dream”, shkruan politico.
Presidentja pro-BE e Gjeorgjisë, Salome Zourabichvili, i bëri thirrje qytetarëve të kundërshtojnë vendimin e qeverisë gjersa më vonë iu bashkua protestuesve jashtë parlamentit, duke deklaruar se “ka filluar një rezistencë dhe ajo nuk do të përfundojë deri sa të shpallen zgjedhje të reja”.
Duke iu drejtuar policisë, ajo pyeti retorikisht “kujt i shërbeni, Rusisë apo Gjeorgjisë? Para kujt e keni dhënë betimin?” ndërsa trokite mbi mburojat e tyre.
Refuzimi i kryeministrit për të vazhduar procesin e anëtarësimit në BE erdhi pas një rezolute kritike të Parlamentit Evropian, e cila deklaronte se zgjedhjet e fundit parlamentare në Gjeorgji nuk ishin “të lira dhe të ndershme” dhe bënte thirrje për një rivotim nën mbikëqyrjen ndërkombëtare.
Më herët, në muajin tetor, Brukseli njoftoi se rruga e Gjeorgjisë drejt anëtarësimit ishte ndalur, duke theksuar se vendi “ka bërë hapa pas”.
Më 26 tetor, gjeorgjianët votuan në zgjedhje që u konsideruan gjerësisht si një referendum mes Perëndimit dhe Moskës. Megjithatë, partitë opozitare pretenduan se zgjedhjet ishin manipuluar dhe nisën protesta në rrugë, duke refuzuar mandatet e tyre parlamentare dhe kërkuan një rivotim. Presidentja e Gjeorgjisë gjithashtu apeloi rezultatet e zgjedhjeve në Gjykatën Kushtetuese.
Megjithatë, partia në pushtet “Georgian Dream” hodhi poshtë apelin – duke shkelur kështu kushtetutën e Gjeorgjisë – dhe miratoi si parlamentin, ashtu edhe kabinetin qeveritar.
Anketat raportojnë se rreth 79 për qind e gjeorgjianëve mbështesin anëtarësimin në BE.
Gjeorgjisë iu dha statusi i kandidatit për anëtarësim në BE dhjetorin e kaluar, me kusht që të zbatonte një sërë reformash. Por qeveria e saj, e cila shihet si pro-Moskës, ka ndjekur gjithnjë e më shumë politika autoritare, përfshirë një ligj të diskutueshëm në stilin rus dhe legjislacion anti-LGBTQ+, të cilat shihen gjerësisht si përpjekje të qëllimshme të partisë në pushtet për të minuar procesin e anëtarësimit të Gjeorgjisë në BE.