Presidentja ia ka borxh mbi 87 mijë euro kompleksit “Marigona Hill”

Presidentja e Kosovës ia ka borxh 87 mijë e 900 euro kompleksit “Marigona Hill”, që ofron shtëpi luksoze në zonën e qetë prapa Pallatit të Drejtësisë, afër Liqenit të Badovcit. Në deklarimin e pasurisë, shefja e shtetit nuk ka deklaruar ndonjë shtëpi a apartament të blerë në këtë kompleks, por ka deklaruar shumën që detyrohet ta paguajë te “Marigona Hill”, raporton Gazeta Express.

Para disa muajsh, kjo çështje ishte diskutuar shumë, ndërsa nga Presidenca nuk ishin deklaruar për të. Nga “Marigona Hill” kishin thënë për Express se nuk lejohen të japin informacione për klientët e tyre.

Lexo Edhe:

“Po na thonë erdh ai i huaji”, mërgimtari thotë se po ndjehen të huaj edhe në Kosovë edhe jashtë vendit

Osmani në deklarimin e pasurisë për vitin e kaluar e ka të listuar një detyrim që e kishte ndaj “Marigona Hill”. Ajo kishte deklaruar detyrim prej mbi 115 mijë eurove ndaj këtij kompleksi.

Një borxh tjetër i deklaruar nga Osmani është ai për parcelë në Lagjen e gjelbër, e që kap shifrën e 10 mijë eurove.

Reklamë

Çmimi për shtëpitë në “Marigona Hill” sillet nga 300 mijë deri në mbi 500 mijë euro, ndërsa për apartamente nga 85 mijë euro deri në 240 mijë euro.

Presidentja sivjet i ka 26 mijë e 690 euro më shumë në llogaritë e saj bankare nga sa kishte një vit më parë. Vitin e kaluar ajo kishte deklaruar se i ka 12 mijë e 401 euro të gatshme në bankë. Tash, ajo ka deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsonit se i mban 39 mijë e 90 euro para të gatshme në dy llogari bankare.

Përveç bankave në Prishtinë, bashkëshorti i Osmanit mban para edhe në dy banka jashtë vendit. 570 euro është shuma e parave që Prindon Osmani e mban në një bankë në Austri, ndërsa 890 euro i mban në një bankë në Maqedoninë e Veriut.

Osmani ka deklaruar se ka marrë 33 mijë e 149 euro pagë vjetore nga Kuvendi i Kosovës. Kurse bashkëshorti i saj, Prindon Osmani, ka deklaruar se ka marrë më shumë para sesa presidentja. Në deklarimin e pasurisë për këtë vit, paga vjetore e bashkëshortit të presidentes thuhet të jetë 36 mijë e 240 euro.

Pasuria e paluajtshme e Osmanit kap shifrën e 77 mijë e 500 euro. Një banesë të papërfunduar, presidentja e Osmani ka deklaruar se vlen 40 mijë euro, një garazh i papërfunduar 2 mijë e 500 euro dhe një parcelë toke prej 5.10 ari në vlerë prej 35 mijë eurove.

Në fund të deklarimit të pasurisë për vitin 2021, presidentja Osmani ka dhënë edhe një sqarim.

“Parcelë tokë për shtëpi në Zonën Kadastrale …, e kontratuar por nuk është ende në pronësi e as në shfrytëzim. Shuma e paguar 139,740 EUR, ndërsa detyrimet e mbetura janë listuar ne numrin rendor 2 në sektorin “TË DREJTAT DHE DETYRIMET FINANCIARE NDAJ PERSONAVE JURIDIK DHE FIZIK ” Pasuria dhe detyrimet financiare të bashkëshortit janë deklaruar përkundër faktit që janë të regjistruara vetëm në emër të tij dhe nuk konsiderohen pasuri e deklaruesit meqë e gjithë pasuria e paluajtshme e bashkëshortit e deklaruar në këtë formular është fituar para martesës me deklaruesen. Sipas nenit 46 te Ligjit per Familjen, pasuria e bashkëshortit e krijuar para martesës mbetet pronë e veçantë e tij, dhe nuk konsiderohet pronë e deklaruesit”, thuhet në fund të deklrimit të pasurisë së presidentes.