Presidenti së pari apo Qeveria? Juristët tregojnë se a ka të drejtë Osmani ta mandatojë Kurtin si kryeministër

Zgjedhjet e 14 shkurtit arritën të sjellin një “tërmet” politik në vendin tonë.

Por ende nuk ka përfunduar procesi i plotë i numërimit të votave, që më pas duhet certifikuar nga KQZ-ja. Kosova tash përballet me formimin e qeverisë dhe pas kësaj edhe me sfidën për zgjedhjen e presidentit.

Këto zgjedhje nxorën fituese LVV-në, ndërsa LDK-ja ishte ajo e cila pati rënien më të madhe ndonjëherë në zgjedhje, shkruan “Bota sot”.

Por, pavarësisht kësaj, reagimet pas rezultateve të zgjedhjeve vazhduan të jenë prezent, ndërsa që posti i presidentit vazhdon të jetë po ashtu shumë e përfolur.

Por para se të vendoset për postin e presidentit, lind pyetja se a do të duhet që fillimisht të formohet qeveria e më pas të zgjidhet presidenti apo anasjelltas.

Kushtetuta e Kosovës e përcakton qartë se presidenti i Kosovës duhet të zgjidhet me të paktën 61 vota në raundin e tretë nëse dështojnë dy të parat, ndërsa, në seancë duhet të marrin pjesë të paktën 81 deputetë. Presidenti i ri duhet të zgjidhet brenda afatit prej 60 ditësh nga dita e fillimit të procedurës së zgjedhjes, ndërsa nëse ky proces dështon atëherë vendi në mënyrë automatike shkon serish në zgjedhje.

Në lidhje se a do të mundet u.d e presidentit, Vjosa Osmani të dekretojë qeverinë e ardhshme, ka folur edhe Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani.

Hasani tha se Osmani do ta ketë mandatin e saj prej 6 muajsh dhe se gjatë kësaj kohe mund ta dekretojë Qeverinë e re, përcjell “Bota sot”.

Nëse Qeveria e re nuk zgjidhet gjatë mandatit të caktuar të Osmanit, atëherë fillimisht partitë politike duhet ta zgjedhin presidentin, pastaj të vazhdojnë me dekretimin e qeverisë.

“Presidentja Osmani mund ta dekretoj edhe qeverinë e ardhshme. Nëse në supozim zgjedhjet kryhen mirë dhe përfundojnë brenda 6 muajve, atëherë Osmani mund të vazhdoj me procedurat dhe çdo gjë është në rregull. Nëse Qeveria e re nuk zgjidhet brenda 6 muajve, atëherë duhet të zgjidhet njëherë presidenti, pastaj të vazhdohet Qeveria”, u shpreh ai në një debat televiziv.

Për “Bota sot”, edhe njohësit e çështjeve juridike kanë komentuar zgjedhjen e presidentit dhe formimin e qeverisë së re.

Ata u shprehën që Osmani kompetenca kushtetuese ta propozojë kandidatin për kryeministër dhe se kushdo që ushtron postin e presidentit, ka të drejtën e plotë të dekretojë kryeministrin e ardhshëm.

Ndër të tjera IKD u shpreh që fillimisht duhet të emërohet presidenti, pastaj të formohet qeveria e Kosovës.

Miftaraj: Të zgjedhet presidenti, më pas të formohet Qeveria

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që në bazë të hierarkisë së institucioneve të Kosovës dhe mënyrës së projektuar Kushtetuta e Kosovës, del se pas konstituimit të Kuvendit të Kosovës, duhet të pasojë procesi i emërimit të Presidentit të Kosovës, për të vazhduar me formimin e qeverisë.

Gjithashtu, Miftaraj thotë që në të kaluarën Kosova ka formuar qeverinë para presidentit por që kjo praktikë mund të ndryshohet nga Gjykata Kushtetuese, nëse potencialisht atakohet nga partitë opozitare nëse e vlerësojnë.

“Në bazë të hierarkisë së institucioneve në Kosovë dhe mënyrës se si është projektuar Kushtetuta e Kosovës, del se pas konstituimit të Kuvendit të Kosovës, duhet të pasojë procesi i emërimit të Presidentit të Kosovës për të vazhduar me formimin e qeverisë. Edhe pse në të kaluarën Kosova ka ndërtuar praktikë të formimit të qeverisë para emërimit të Presidentit, një qasje e tillë nuk është kontestuar në Gjykatë Kushtetuese, që nënkupton se kjo praktikë mund të ndryshohet nga Gjykata Kushtetuese nëse potencialisht mund të atakohet nga partitë opozitare nëse e vlerësojnë”, potencon Miftaraj.

Tutje, Miftaraj nënvizon që nëse partia fituese vendos që pas konstituimit të Kuvendit ta propozojë znj. Osmani për Kryetare të Kuvendit, prapë e njëjta do të vazhdojë të mbajë pozitën e U.D. Presidentit deri me 5 maj.

Mirëpo, sipas tij, nëse e njëjta parti fituese propozon një emër tjetër për kryetar të Kuvendit, atëherë ai emër do të ketë autorizimin të mbajë detyrën deri më 5 maj 2021.

“Në anën tjetër nëse partia fituese vendos që pas konstituimit të Kuvendit znj. Osmanin ta propozojë për Kryetare të Kuvendit, prapë e njëjta do të vazhdojë të mbajë pozitën e U.D. Presidentit deri me 5 maj, nëse do të propozojë emër tjetër dhe të merr votat në Kuvend, automatikisht U.D. Presidentit bëhet Kryetari i ri i Kuvendit i cili këtë detyrë e mban deri më 5 maj 2021 dhe me këtë edhe autorizimet për të proceduar me kandidatin për Kryeministër që e propozon partia fituese”, ka përfunduar Miftaraj për “Bota sot”.

Gjoshi: U.d. e Presidentit, Vjosa Osmani, ka kompetence kushtetuese ta propozojë kandidatin për

Ndërsa, avokati Adrian Gjoshi, në një prononcim për “Bota sot”, ka folur në lidhje me emërimin e Kurtit mandatar të qeverisë nga ana e ushtrueses e postit të presidentit, Vjosa Osmani.

Sipas tij, Osmani ka kompetencë që ta propozojë kandidatin për Kryeministër nga fituesit e zgjedhjeve pas një konsultimi, në këtë rast pritet ta propozojë Albin Kurtin si fitues i zgjedhjeve.

“Pas konstituimit të Kuvendit, U.d. e Presidentit, Vjosa Osmani, ka kompetenca kushtetuese ta propozojë kandidatin për Kryeministër nga fituesit e zgjedhjeve pas një konsultimi, në këtë rast pritet ta propozojë Albin Kurtin si fitues i zgjedhjeve. Kushtetuta e Republikës së Kosovës nuk bënë dallim në mes të presidentit dhe një ushtruesit të detyrës sa i përket kompetencave”, u shpreh avokati.

Gjoshi thotë se Kushtetuta nuk e konsideron një ushtrues detyre të presidentit më pak president, mirëpo ajo mund të kufizojë kohëzgjatjen e mandatit të presidentit që nuk mund të zgjatë më shumë se 6 muaj.

“Pra, Kushtetuta nuk e konsideron një ushtrues detyre të presidentit më pak president, por duke qenë e heshtur në këtë drejtim, Kushtetuta e kufizon vetëm kohëzgjatjen e mandatit të u.d. të presidentit që nuk mund të zgjasë më shumë se 6 muaj”, ka theksuar Gjoshi.

Avokati potencoi se Osmani është në kuadër të rolit ta saj kushtetues dhe përgjegjësinë që ka, duke kujtuar edhe rastin e ish u.d. President, Jakup Krasniqi kishte nominuar Hashim Thaçin për kryeministër, në vitin 2010.

“Kryerja e kësaj detyre nga ana e u.d. Presidente, Vjosa Osmani, është krejtësisht në kuadër të rolit të saj kushtetues të Presidentit dhe përgjegjësive klasike që ka. Përfundimisht, tanimë kemi edhe një praktikë parlamentare kur ish u.d. President, Jakup Krasniqi kishte nominuar Hashim Thaçin për kryeministër, pasi ky i fundit kishte fituar zgjedhjet parlamentare të vitit 2010”, përfundoi Adrian Gjoshi për “Bota sot”.

Burjani: Të konstituohet Kuvendi, pastaj të formohet Qeveria dhe të zgjedhet presidenti

Lidhur me këtë çështje ka folur edhe juristi Blerim Burjani.

Në një prononcim për “Bota sot”, ai ka thënë se në këto raste nuk definohet Kushtetuta e shtetit, mirëpo që më e rëndësishme është të zgjidhet Kryetari i Kuvendit.

“Renditja është kjo, së pari konstituohet Kuvendi, pastaj zgjedhet qeveria dhe presidenti, rasti që potencuat ju është hera e parë që Kosova nuk ka president. Në rastet e tilla nuk definohen në Kushtetutën e shtetit, e rëndësishme është se duhet të zgjedhet Kryetari i Kuvendit”, është shprehur Burjani.

Sipas tij, Kosova është një shtet parlamentar jo presidencial dhe në këto kushte me rëndësi është që ju jepet rëndësi konstituimit të Kuvendit e pastaj qeverisë dhe presidentit.

“Qeveria nuk është keq që të konsultohet. Gjykata Kushtetuese për këtë çështje interpretimi logjik është se së pari duhet të zgjedhet Kryetari i Kuvendit e pastaj mandatari, e së treti presidenti sepse Kosova është shtet parlamentar dhe jo presidencial në këtë sistem me rëndësi institucionale, pa mohuar edhe rëndësinë tjetër se përparësi i jepet konstituimit të Kuvendit pastaj qeverisë dhe presidentit”, ka deklaruar Blerim Burjani për “Bota sot”.