Presidenti polak: Vetëm Trumpi mund ta ndalë Putinin

Presidenti i Polonisë, Karol Nawrocki, ka deklaruar të mërkurën se Donald Trumpi është i vetmi udhëheqës botëror i aftë të ndalojë Vladimir Putinin nga kërcënimi ndaj Evropës.

Në një intervistë me programin Today të Radio 4, ai ka thënë se udhëheqësit rus nuk duhet t’i besohet, por se Evropa duhej të bënte gjithçka që mundej për të mbështetur presidentin Trump në përpjekjet e tij për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Presidenti Nawrocki është tashmë i njohur si një mbështetës i fortë i Trumpit.

Ai ka thënë se teksa Rusia kërcënon vendin e tij si dhe Evropën Qendrore dhe Lindore, presidenti i SHBA-së është i vetmi person që mundej, siç e tha ai, “ta zgjidhte këtë problem”, si dhe t’i jepte fund luftës në Ukrainë.

Duke iu referuar inkursionit masiv të shtatorit të kaluar nga dronë rusë, kur më shumë se 20 avionë pa pilot kaluan në Poloni nga Bjellorusia dhe Ukraina, presidenti Nawrocki e ka quajtur atë “një situatë të jashtëzakonshme”, duke shtuar se “deri në atë kohë, asnjë shtet anëtar i NATO-s nuk kishte përjetuar një sulm me dronë në atë shkallë”.

Rusia, ka shtuar ai, po vë në provë mbrojtjen e Polonisë dhe solidaritetin e NATO-s.

Ai është pyetur për miqësinë e tij me Donald Trumpin, veçanërisht në dritën e kërcënimeve të presidentit amerikan për të marrë “me çdo mjet” territorin autonom danez të Grenlandës, diçka që ka tronditur Evropën dhe që kërcënon të prishë aleancën 77-vjeçare të NATO-s.

Nawrocki ka këmbëngulur se SHBA-ja, pavarësisht deklaratave të fundit nga zyrtarët amerikanë për të kundërtën, vazhdon të jetë garantuese e sigurisë në Evropë.

“Ajo që Donald Trumpi po bën në emër të evropianëve, meriton mbështetje dhe respekt të madh”, ka thënë Nawrocki.