Presidenti Stevo Pendarovski, sot realizoi vizitë pune në Agjencinë për Zbulim të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Siç informojnë nga Kabineti i presidentit, gjatë kësaj vizite, Pendarovski, ka qenë i informuar për aktivitetet vijuese dhe ato të parapara në kompetencë të Agjencisë, të drejtuara nga mbledhja, analiza dhe përpunimi i informacioneve të zbulimit të cilët janë të rëndësishme për sigurinë, mbrojtjen, dhe interesat tjera politike e ekonomike të RMV-së.
Në këtë rast, presidenti Pendarovski, ka qenë i njoftuar me kontributin e Agjencisë së Zbulimit, në përmbushjen e qëllimeve strategjike të Maqedonisë së Veriut, për anëtarësimin në NATO dhe BE, me theks bashkëpunimin ndërkombëtar të Agjencisë me shërbimet partnere.
Po ashtu nga Kabineti i presidentit Pendarovski, thuhet se në këtë takim është biseduar për bashkëpunimin ndërinstitucional si pjesë e rëndësishme për koordinim të aktiviteteve të institucioneve me veprimtari të ngjashme me Agjencinë për Zbulim.
Ndryshe, presidenti Pendarovski, ka qenë i informuar edhe për aktivitetet e Agjencisë, për reformat të brendshme dhe miratimin e një ligji të ri, me qëllim ndërtimin e shërbimeve bashkëkohore dhe efikase, në pajtim me rekomandimet, kriteret dhe mbështetjen e NATO-s.