Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq deklaroi se kryesimi kroat i Bashkimit Evropian përmes Samitit në Zagreb në maj do t’u japë vendeve të Ballkanit Perëndimor perspektivë të qartë evropiane, kornizë të qartë kohore, por edhe metodologji për negociatat e ardhshme. Plenkoviq në intervistën për Francë 24 përsëriti se pret prezantim të propozimit për modifikime të caktuara të metodologjisë së procesit negociues dhe raport plotësues për progresin e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.
Andrej Plenkoviq
“Kjo do të sjellë deri në arritjen e zgjidhjes politike dhe do ta kthejë besimin e të dyja vendeve para Samitit të BE-së në Zagreb. Sfidat kryesore të kryesimit, krahas zgjerimit të Unionit, do të jetë edhe Brekziti, si dhe korniza financiare shumëvjeçare e BE-së. BE-ja dhe Britania e Madhe në disa muajt e ardhshëm duhet të tregojnë pjekuri dhe t’i dakordojnë fushat kyçe për marrëdhëniet e ardhshme deri në fund të vitit 2020”.
Nga ana tjetër, eurokomisari i ri për fqinjësi dhe zgjerim Oliver Varhejl më 15 dhe 16 janar do të udhëtojë për vizitë në Maqedoninë e Veriut. Pritet që Varhejl të realizojë takime me përfaqësues qeveritarë, në të cilat me siguri do të bëhet fjalë për metodologjinë e re për zgjerim të propozuar nga Franca dhe për rrjedhën e reformave në vend, sidomos miratimin e ligjit për prokurori publike. Më 18 dhjetor të vitit të kaluar, zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani u takua me Varhejlin në Bruksel, me ç’rast ia prezantoi planin reformues të Qeverisë deri në samitin e Këshillit Evropian në mars. Komisioni Evropian do të publikojë mini-raport për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë në shkurt, ndërsa metodologjia e re, sipas paralajmërimeve, prite të miratohet në mars. Eurokomisari, Varhejli muajin e kaluar tha se negociatat aderuese me Maqedoninë e Veriut duhet të fillojnë në pranverë. Ai atëherë tha se BE-ja duhet ta përmirësojë gabimin e tetorit. Komisioni Evropian duhet të dalë me propozim për metodologjinë e re deri në fund të janarit.