Presidenti kroat: Jemi dy popuj me përvoja të ngjashme, do bëj çmos t’ju ndihmoj aty ku mundem

Presidenti i Kroacisë, Zoran Millanoviq, po qëndron në vizitë zyrtare në Kosovë, ku u takua me presidenten Vjosa Osmani.

Pas takimit të tyre, në një konferencë për media Millanoviq u shpreh se në shtetin tonë po vjen me disponim të mirë, “në shtetin e mikut që kemi përvoja të ngjashme të këqija nëpër të cilat kanë kaluar dy popujt tanë”.

Ai po ashtu deklaroi se Kosova jo vetëm që është e dashur për të dhe popullin e tij kroat, por është edhe shteti ku funksionon demokracia.

Kroati kritikoi qëndrimim e BE-së ndaj Kosovës, duke thënë se duhet të tregojnë se çfarë kërkojnë ndaj vendit tonë dhe cilën perspektivë e japin, dhe po ashtu që Kosova duhet të shikojë se çfarë kanë bërë shtetet tjera dhe të mos i përsërisë gabimet e të tjerëve, por të fokusohen te vetja.

“Unë do të flas nga ana ime aty ku mendoj se mund të kem ndikim. Kosovës i duhet një zgjidhje, Kosova nuk është problem në vete, pra nuk shkakton probleme. Do të bëj çdo gjë që t’ju afrojë me ata njerëz që ende nuk e kanë njohur shtetësinë e Kosovës, sepse njëra prej arsyeve është që ata s’kanë informacione dhe këtë çështje e shohin si jo shumë të rëndësishme me faktin që tashmë nuk ka luftë dhe as ndonjë rrezik humanitar. Por kjo nuk është arsyeja që të tjerët duhet të sillen ashtu ndaj jush”, tha Millanoviq.