Duke kritikuar Qeverinë e shtetit të tij për metodat e prokurimit për blerjen e armëve të reja, presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, ka thënë se Kroacia ka marrë aeroplanë të përdorur nga Franca, përderisa Serbia ka blerë të rinj.
Në një deklaratë të premten, siç ka raportuar “index.hr”, Milanoviq ka kritikuar Qeverinë kroate për pengesën, që sipas tij, po ia bën ndërtimit të anijeve patrulluese kroate.
Ai ka thënë se Qeveria po mburret se i ka ndarë 15 milionë euro për Ukrainën, por ka shtuar se kjo s’mjafton as për ngrohjen e një kazerme për një muaj. E sipas tij, qeveria s’po i ndan 12 milionë euro për ta përfunduar ndërtimin e pesë anijeve patrulluese.
“Mund të them vetëm se projekti po pengohet. Ndërkohë Ukrainës 15 milionë euro, Francës një miliard e gjysmë, Gjermanisë një miliard, diçka nga buxheti, diçka nga lëmosha evropiane”, ka thënë ai duke iu referuar blerjes së avionëve luftarakë francezë Rafale dhe tankeve gjermane Leopard.
Sipas tij, francezët Kroacisë “ia kanë shitur avionët e përdorur” ndërsa Serbisë “të rinj”.
Kjo sipas Milanoviqit detyron Kroacinë “që të blejë pajisje të reja”.
“A është kjo aleancë? Partneritet? Kjo nuk bëhet”, ka thënë ai.
Duke kritikuar blerjen e tankeve gjermane, Milanoviqi ka thënë se “Lituania ka arritur të sigurojë prodhimin e pjesëve të tyre, ndërsa Kroacia edhe pse e ka traditë, nuk e ka bërë”.




