Presidenti këtë vit pa fjalim tradicional: T’i lëmë anash ndasitë e të bashkohemi rreth idealeve të Ilindenit

Presidenti i vendit Stevo Pendarovski kurora lulesh vendosi tek varri i Nikolla Karevit në “Makedonium”.

Për dallim nga viti i kaluar dhe paraardhësit e tij, Presidenti sivjet nuk mbajti fjalim. U arsyetua se këtë e bën me qëllim që t’i ndalojë ndasitë politike. Festën e uroi nëpërmjet një video-incizimi.

“Liria e fituar, duhet të ruhet përmes punës me përkushtim të çdo brezi të ri. Këtë vit ne festojmë 30 vjet pavarësi, vite në të cilat patëm ulje-ngritje, tre dekada sukses, por edhe tundime të shumta të jashtme dhe të brendshme që shkaktuan kriza dhe ndarje të thella. Në këto kohë pasigurie për ne, por edhe për të gjithë botën, do të na duhet të kapërcejmë përsëri ndarjet e brendshme dhe të bashkohemi rreth idealeve origjinale të Ilindenit dhe KAÇKM-së. Të rikthehet besimi i qytetarëve në vend duke forcuar institucionet demokratike dhe sundimin e ligjit. T’u mundësojmë të rinjve këtu të ndërtojnë botën e tyre dhe të respektojnë të ndryshmit nga ne, si parakusht për një shoqëri me qytetarë të barabartë”, tha Pendarovski./TV21