Ministri i Jashtëm sirian, Asad al-Shaibani, ka konfirmuar të dielën se presidenti, Ahmed al-Sharaa do të vizitojë Shtëpinë e Bardhë në fillim të nëntorit dhe do të diskutojë rindërtimin e Sirisë.
I dërguari i posaçëm i SHBA-së, Tom Barrack, ka thënë një ditë më parë se Sharaa do të vizitojë Uashingtonin, ndërsa një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë ka thënë më vonë se vizita do të ndodhë rreth datës 10 nëntor.
“Do të ketë shumë çështje në tryezë, duke filluar me heqjen e sanksioneve dhe hapjen e një kapitulli të ri midis Shteteve të Bashkuara dhe Sirisë. Ne duam të krijojmë një partneritet shumë të fortë midis dy vendeve”, ka thënë Shibani.
Sipas Departamentit të Shtetit të SHBA-së, asnjë president i mëparshëm sirian nuk ka bërë një vizitë zyrtare në Uashington.
Sharaa i është drejtuar Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork në shtator.
Që kur mori pushtetin nga Bashar al-Assad dhjetorin e kaluar, Sharaa ka bërë një sërë udhëtimesh ndërkombëtare, teksa qeveria e tij kalimtare kërkon të rivendosë lidhjet e Sirisë me fuqitë botërore që e kishin shmangur Damaskun gjatë sundimit të Asadit.




