Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, gjatë një vizite zyrtare në Gostivar, është nderuar me “Çelësin e Qytetit”, një nga mirënjohjet më të larta që jep komuna. Në ceremoninë e organizuar nga Komuna e Gostivarit dhe Këshilli Komunal, kryetari i këshillit Valdet Xhaferi vlerësoi rolin e presidentit Begaj në përfaqësimin dinjitoz të shqiptarëve dhe të shtetit shqiptar në arenën ndërkombëtare.
Kryetari i Komunës së Gostivarit Valbon Limani theksoi se kjo vizitë ka një simbolikë të veçantë për qytetin. Sipas tij, në një periudhë kur bota po përballet me sfida të mëdha politike dhe gjeopolitike, lidershipi i presidentit të Shqipërisë përfaqëson stabilitet, qetësi dhe dinjitet jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për shqiptarët kudo që jetojnë.Gjatë fjalës së tij u theksua gjithashtu se vizita e presidentit Begaj në Gostivar ka jo vetëm karakter politik, por edhe një dimension të fortë emocional për qytetarët shqiptarë të këtij rajoni. Gostivari si qytet është i banuar kryesisht nga shqiptarë, respektivisht këshilli Komunal i Gostivarit, i cili është i përbërë nga përfaqësues të komuniteteve të ndryshme, përfshirë shqiptarë, maqedonas dhe turq, mori vendim unanim për ndarjen e këtij vlerësimi për presidentin e Shqipërisë.





