Presidenti i ri, LDK drejt propozimit të kandidatit këtë javë

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ukë Rugova, ka shprehur optimizëm se partitë politike së shpejti mund të arrijnë te një emër konsensual për presidentin e ardhshëm të Kosovës.

Rugova ka thënë se shpreson që kjo të ndodhë madje gjatë kësaj jave, duke iu referuar edhe mesazhit të ish-kongresistit amerikan Joe DioGuardi për nevojën e zgjedhjes sa më të shpejtë të presidentit.

“Besoj që shpejt do të kemi një emër të një presidenti konsensual. Uroj që të jetë gjatë kësaj jave, ashtu siç e tha edhe kongresisti DioGuardi, dhe besoj që si popull kemi mjaft emra të përgatitur për të qenë president”, ka deklaruar Rugova për KosovaPress.

I pyetur nëse ai vetë mund të jetë një prej emrave për këtë pozitë, Rugova e ka përjashtuar një mundësi të tillë në këtë fazë.

“Unë nuk jam, atë e vendos dikush tjetër, por vetë nuk jam në këtë fazë. Besoj që ka emra të tjerë më të mirë e më të përgatitur për t’i shërbyer në këtë fazë Kosovës”, ka thënë ai.

Çështja e presidentit është një nga temat kryesore të diskutimeve ndërmjet LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje. Në fazën fillestare të negociatave, LDK-ja kishte kërkuar që asaj t’i takonte e drejta për të propozuar presidentin, duke e arsyetuar këtë me nevojën për balancë institucionale.

Në takimin e fundit mes Albin Kurtit dhe Lumir Abdixhikut, ku morën pjesë edhe Vjosa Osmani dhe Lutfi Haziri, palët deklaruan se kishin arritur pajtueshmëri për profilin që duhet të ketë presidenti i ardhshëm.

Hapi i radhës pritet të jetë diskutimi i emrave konkretë për këtë pozitë.