Presidenti Erdoğan kërkon mbështetjen e NATO-s në një periudhë kritike

Presidenti i Republikës së Turiqisë, Recep Tayyip Erdoğan, u ka bërë thirrje shteteve anëtare të NATO-s që të shfaqin aleancën e tyre me Turqinë në këtë periudhë kritike, raporton Anadolu Agency (AA).

“NATO është në një periudhë kritike në të cilën duhet të tregojë qartë solidaritetin e aleancës (me Turqinë)”, u tha presidenti Erdoğan përfaqësuesve të mediave në një konferencë të përbashkët për media me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.

Ai shtoi se aleatët duhet të bashkëpunojnë me Turqinë pa diskriminim dhe pa parakushte politike.

Erdoğan theksoi se Turqia ka luftuar kundër kërcënimeve nga Siria dhe kundër grupit terrorist DEASH për gati një dekadë dhe është i vetmi vend anëtar i NATO-s që ka ushtarë të martirizuar, duke shtuar se asnjë shtet evropian nuk ka luksin të mos shqetësohet për konfliktet dhe dramën njerëzore në Siri.

– Stoltenberg: Turqia është një aleat “i rëndësishëm”

“Asnjë aleat tjetër nuk ka pësuar më shumë sulme terroriste se Turqia. Asnjë aleat tjetër nuk strehon më shumë refugjatë se Turqia”, tha kreu i NATO-s Stoltenberg, duke vlerësuar përpjekjet e Turqisë për sigurinë e rajonit.

Ai gjithashtu e quajti Turqinë një aleat “të rëndësishëm” i cili “ka kontribuar në sigurinë tonë të përbashkët në shumë mënyra”.

Stoltenberg më tej theksoi se aleanca ushtarake ka investuar shumë në sistemet e raketave dhe bazave ushtarake në Turqi në vitet e kaluara dhe se vazhdon të kontribuojë në misionet ajrore dhe detare në Turqi.

“Aleatët janë të gatshëm të vazhdojnë të mbështesin Turqinë dhe të shqyrtojmë se çfarë mund të bëjnë më shumë”, tha ai, duke riafirmuar angazhimin e aleancës për partneritet.

Stoltenberg gjithashtu shprehu shqetësimet e tij për situatën e sigurisë në Siri dhe krizën e migrantëve.

“Regjimi i Asadit dhe Rusia shkaktuan vuajtje të papërshkrueshme të civilëve”, tha ai, duke shtuar se shpreson që armëpushimi në Idlib i arritur javën e kaluar do të shndërrohet në një paqe të qëndrueshme.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s e quajti migracionin “një sfidë të përbashkët” dhe përshëndeti dialogun midis Turqisë dhe BE-sl për të gjetur një zgjidhje afatgjatë për krizën.

Takimi midis presidentit Erdoğan dhe Stoltenbergut zgjati rreth një orë në Delegacionin e Përhershëm të Turqisë në Bashkimin Evropian (BE), gjatë vizitës njëditore të presidentit turk në Bruksel me ftesë të Presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel.

“Gjatë takimit do të adresohen plotësisht marrëdhëniet dypalëshe dhe do të diskutohen hapat për forcimin e bashkëpunimit, në takim në të cilin gjithashtu do të marrë pjesë edhe Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen”, thuhet në një deklaratë të Presidencës Turke.

Në deklaratë gjithashtu thuhet se në takim do të trajtohen “zhvillimet e fundit në Siri, veçanërisht Idlib, si dhe çështja e refugjatëve dhe çështje të tjera rajonale dhe globale”.

Muajin e kaluar Turqia njoftoi se nuk do t’i ndalojë më azilkërkuesit të arrijnë në Evropë, duke u ankuar se BE kishte dështuar t’i mbante premtimet e marrëveshjes së vitit 2016 për migrantët, si dhe duke paralajmëruar një valë refugjatësh që vijnë nga Idlibi.

Turqia aktualisht strehon mbi 3,7 milionë sirianë, duke u bërë kështu vendi me numrin më të madh të refugjatëve të strehuar në botë.