Presidenca shpenzon mbi 86 mijë euro për 6 muaj, gati 49 mijë euro vetëm për bileta të udhëtimeve

Presidenca ka shpenzuar 86 mijë euro nga buxheti i shtetit në 6-mujorin e parë të këtij viti (janar-qershor).

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani së bashku me anëtarët e kabinetit (19 persona), kanë shpenzuar 75 mijë e 226.93 euro gjatë kësaj periudhe.

Sipas të dhënave të publikuara nga Presidenca, Osmani dhe kabineti i saj më së shumti kanë shpenzuar për bileta të udhëtimeve zyrtare jashtë vendit, ku janë shpenzuar 48 mijë e 968 euro në total. Për akomodim gjatë udhëtimeve, janë shpenzuar 12 mijë e 658.64 euro, ndërsa 9 mijë e 86.5 euro janë shpenzuar për karburante.

Presidenca ka shpenzuar 3 mijë e 455 euro në dreka dhe darka zyrtare, ndërsa një koktej protokollar me rastin e javës së gruas i ka kushtuar buxhetit të shtetit 1 mijë euro.

Administrata, ish-presidentët dhe Këshilli Konsultativ për Komunitete në kuadër të Presidencës kanë shpenzuar rreth 11 mijë euro që nga janari deri në qershor.

Për dreka dhe darka zyrtare, ata kanë shpenzuar 2 mijë e 977 euro, ndërsa 371 euro i kanë kushtuar biletat e udhëtimeve zyrtare jashtë vendit. /Lajmi.net/