Presidenca portugeze optimiste për çeljen e negociatave me RMV-në dhe Shqipërinë

Presidenca portugeze shpreson ende që hapja zyrtare e negociatave të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë të bëhet para fundit të kësaj presidence, në qershor. Kështu është shprehur Ana Paula Zacarias, sekretare e shtetit të Portugalisë për çështjet europiane pas takimit të ministrave të Bashkimit Europian për çështjet europiane me videokonferencë, të cilët kanë diskutuar edhe për politikën e zgjerimit. Por presidenca portugeze nuk jep garanci që kjo mund të ndodhë brenda qershorit dhe tregohet e kujdesshme mbi këtë pikë, duke artikuluar qartësisht togfjalëshin “nëse është e mundur”.

ANA PAULA ZACARIAS, SEKRETARE E SHTETIT TË PORTUGALISË

“Ne e kemi diskutuar procesin për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Nga shtetet anëtare, mund t’ju them, se të gjithë duan që të shohin avancim dhe presidenca ka komunikuar me shtetet kandidatet dhe shtetet anëtare me mbështetjen e Komisionit Europian dhe veçanërisht komisionerit Varhelyi. Ne kemi diskutuar gjithashtu me autoritetet e Bullgarisë. Siç e dini, ka patur një proces zgjedhor në Bullgari, që është zhvilluar së fundmi. Ne jemi në kontakt me të gjitha palët për të parë, nëse mund të arrijmë rezultatin e dëshirueshëm lidhur me mbajtjen e konferencave të para të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë gjatë presidencës tonë . Që në janar ne kemi shprehur ambicien tonë për të shprehur qëndrimet e përgjithshme të Bashkimit Europian dhe mbajtjen e konferencave me dy vendet gjatë presidencës tonë nëse është e mundur”.

Ministrat e çështjeve europiane të Bashkimit Europian janë ndalur te përgatitja e takimit të qershorit, ku pritet të aprovohen tre boshte kryesore lidhur me zgjerimin e Bashkimit Europian me vendet e Ballkanit.

ANA PAULA ZACARIAS, SEKRETARE E SHTETIT TË PORTUGALISË

“Ne shpresojmë që në Këshillin e çështjeve të përgjithshme të muajin qershor të mund të aprovojmë rregulloren për instrumentin e paraanëtarësimit IPA III. Shpresojmë që kjo rregullore të mund aprovohet me Parlamentin Europian sa më shpejt të jetë e mundur. Që në janar, ne kemi thënë të njëjtën gjë : “Dëshirojmë aplikimin e metodologjisë të rishikuar të zgjerimit për procesin e anëtarësimit për Malin e Zi dhe Serbinë, përmbushjen e mandatit të dhënë në konkluzionet e Këshillit, si dhe të angazhohemi në këtë proces me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”.

Presidenca portugeze ka bërë të ditur, se pavarësisht konktakteve me autoritetet bullgare, deri tani nuk ka ndryshim lidhur me traktatin e fqinjësisë me Maqedoninë e Veriut, ndryshim që do i hapte rrugë aprovimit të kuadrit negociues për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë nga Këshilli i ministrave të BE-së.