Premtimet e palaçove për “20%”-shin!

Shkruan: Medai Shaholli

Së fundmi në opinion është hedhur karremi i ‘patriotizmit’ dhe mashtrimit të radhës nga partiçkat tona politike ‘shfalerka’ të pushtetit, një debat i ri për një temë të vjetër dhe të zbarët siç është heqja apo fshirja e 20% nga kushtetuta e ‘drzhavës Severna’.

Kështu që liderucët tanë broçkullisin para opinionit se me rastin e ndryshimeve kushtetuese do t’i kërkojnë një kusht qeverisë Dhimo se për ta vazhduar ‘bashkëjetesën’ me këtë qeveri duhet të zëvendësohet termi fyes i 20% për shqiptarët në gjuhë shqipe!

A janë serioze partiçkat tona mbi këtë temë të nxehtë? Sigurisht që nuk janë, ato thjesht bëjnë premtimet e radhës! Nëse do të kishim vërtetë një parti shqiptare të gatuar me kuadro të shëndosha dhe me taban kombëtar, asnjë qeveri e koalicionit nuk do kishte qëndruar ‘më këmbë’ më shumë se tre muaj pa i plotësuar kërkesat legjitime të popullit shqiptar, përmes një partie serioze shqiptare në funksionimin e këtij shteti me dy etnitë më të mëdha në vend si të barabartë në rendin kushtetues.

Përse ka ndodhur ky lloj formësimi i këtij lloj shteti mes supremacisë sllavo-maqedone dhe inferioritetit shqiptar në këto tri dekada të funksionimit të ‘drzhavës Severna’ si shtet që përfaqëson ata dhe jo ne, këtu përgjigjen duhet kërkuar nga partiçkat tona?

Kësisoj, liderucët tanë saherë që ndihen në vështirësi dhe për prestigj të luhatur hedhin në tregun e kampit shqiptar karremin e patriotizmit se ata janë aty ku janë në shërbim të interesave kombëtare!

Dhe mjerisht, një pjesë e e ‘hanë karremin’ e patriotizmit dhe premtimeve boshe si në e mirë që do të vij për shqiptarët! Ata që i kanë lënë shqiptarët për tri dekada rresht në këtë nivel të pabarazisë dhe të denigrimit si nofka e 20%, nuk ngurrojnë t’i lënë shqiptarët edhe një dekadë tjetër të zhytur në kënetën e madhe të pabarazisë dhe shtypjes nacionale të ‘drzhvës së quajtur së fundmi Sverna’.