Premierliga shtyn kthimin e ndeshjeve për 19 qershor

Premierliga dhe Shoqata e Futbollistëve Profesionistë janë pajtuar që 12 qershori nuk është datë e përshtatshme për kthimin e ndeshjeve. The Sun tani raporton se këto autoritete e vendosën 19 qershorin si datën e rinisjes së sezonit.

Liga elitare e futbollit në Angli ka qenë e suspenduar që nga marsi, shkaku i përhapjes së madhe të virusit Covid-19 në botë. Tash e një kohë janë diskutuar shumë opsione për kthimin e mundshëm të ligës.

Të hënën, qeveria britanike e publikoi një dokument 50-faqesh që i tregonte hapat e zbutjes së masave për vetëizolim në Angli, ku Premierliga parashihej të mund të riniste pas 1 qershorit. Dokumenti u publikua një ditë pasi kryeministri Boris Johnson i bëri të qarta planet e tij për zbutjen e masave të ndërmarra për parandalimin e përhapjes edhe më të madhe të koronavirusit.

Përkundër që qeveria britanike ka lënë të kuptohet që ndeshjet do të mundë të kthehen menjëherë pas 1 qershorit, Premierliga e kishte diskutuar 12 qershorin si datë të mundshme për rinisjen e sezonit.

Megjithatë, shkaku i shqetësimeve për sigurinë e lojtarëve dhe stafit, tani kjo datë është shtyrë edhe për një javë. The Sun raporton se data e kthimit të Premierligës tani është vendosur më 19 qershor.

Por, para se të kthehen ndeshjet e Premierligës, fillimisht do të duhet që klubet të kthehen në disa seanca stërvitore në mënyrë që lojtarët të kthehen në formën e tyre të mëparshme, si dhe t’i kryejnë të gjitha testet mjekësore.

Udhëzimet e qeverisë britanike e kanë bërë të qartë se kushdo që kthehet në stërvitje në kampin e klubit duhet të ketë pranuar vetë ta bëjë këtë gjë, përderisa secili mund të zgjedhë edhe ta vazhdojë karantinën, pa pasur të drejtë klubi ta detyrojë të vijë në kamp stërvitor.