Prej sot sanksionohen shkeljet në trafik që regjistrohen nga kamerat

Nga sot, më 1 shkurt, fillon funksionimi i sistemit “Qyteti i Sigurt” në territorin e qyteteve Shkup, Kumanovë dhe Tetovë, si dhe në Korridoret 8 dhe 10, informuan nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), transmeton Portalb.mk.

Kjo do të thotë se do të sanksionohen qytetarët që kanë kryer shkelje të evidentuara nga kamerat e “Qytetit të Sigurt”. Do të evidentohen katër lloje tipike të shkeljeve në trafik: parkim i parregullt, tejkalim i shpejtësisë së lejuar, kalim në semafor të kuq dhe drejtim i automjetit me leje qarkullimi të skaduar. Sipas policisë, kamerat janë vendosur në pikat kritike të trafikut, ku më së shpeshti ndodhin shkelje rrugore.

“Sistemi ‘Qyteti i Sigurt’ do ta rregullojë trafikun dhe do t’i sanksionojë të gjithë ata që nuk dëshirojnë t’i respektojnë rregullat dhe dispozitat e komunikacionit, në dëm të tyre dhe të pjesëmarrësve të tjerë në trafik”, thonë nga MPB.

Policia u bëri thirrje qytetarëve që, nëse kanë ndryshime në të dhënat e kontaktit që i kanë dorëzuar gjatë regjistrimit të automjeteve, ose nëse kanë marrë njoftim me të dhëna të pasakta, t’i përditësojnë ato.

Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, tha se sistemi “Qyteti i Sigurt” nuk është sistem për ndëshkim, por ka për qëllim rritjen e sigurisë në trafik dhe shpëtimin e sa më shumë jetëve njerëzore, sepse jeta nuk ka çmim.

Në paraqitjen e djeshme në RTVM 1, ai tha se është në zbatim një rregullore e re me të cilën rritet pragu i tolerancës për shoferët.

“Kjo do të thotë se nëse drejtoni automjet në zonë ku ka shenjë për 30 km/orë, me 36 km/orë kamera nuk do t’ju evidentojë për shkelje, por do t’ju evidentojë nga 37 km/orë. Nga 50 deri në 100 km/orë, toleranca ligjore sipas rregullores së re është 9 km/orë. Kjo do të thotë se nëse drejtoni automjet aty ku lejohet deri në 50 km/orë, me 51 km/orë kamera do t’ju evidentojë dhe do t’ju dërgojë njoftim, ndërsa do të ndëshkoheni nga sistemi nëse drejtoni automjet me 60 km/orë. Aty ku kufiri është 100 km/orë dhe automjeti lëviz mbi 101 km/orë, kamera do t’ju identifikojë me tolerancë prej 12 km/orë, që do të thotë se do të sanksionoheni nëse, për shembull, lejohet 100 km/orë dhe ju lëvizni me 113 km/orë”, tha ai.

Këto toleranca, shtoi ai, janë plotësisht të pranueshme me qëllim që sistemi të funksionojë dhe qytetarët të binden se qëllimi nuk është ndëshkimi, por më pak aksidente, më pak të lënduar dhe më pak jetë të humbura.

Sistemi ‘Qyteti i Sigurt’ hyn në fuqi pasi deputetët më 23 janar votuan për ndryshimet në Ligjin për Kundërvajtje.

Sipas pushtetit ky sistem do të rrisë sigurinë në trafik, ndërsa sipas opozitës ka kritika të ndryshme për mangësi të sistemit.