Prej nesër masa më të rrepta kundër kovid-19 në Rumani

Qeveria rumune prej nesër vendosë masa të reja për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, ndërsa gjendja e alarmit do të vazhdohet deri nga mesi i nëntorit.

Prej nesër do të ndalohen të gjitha festimet private, siç janë dasmat dhe pagëzimet në ambiente të hapura dhe të mbyllura, ndërsa qytetarët do të duhet të mbajnë maska në vende publike në qytetet ku mesatarja dyjavore e të infektuarve tejkaloi tre raste në 1.000 persona.

Mbajtja e maskave për momentin është e detyrueshme në transportin publik, ambiente të mbyllura publike dhe ambiente të hapura ku vështirë mbahet distanca, siç janë tregjet.

Gjithashtu, teatrot, kinematë dhe objektet hotelierike do të mbyllen varësisht nga numri i personave të infektuar në secilin qytet.

Në ditët e fundit, mbi 3.000 raste të reja regjistrohen në Rumani, me çka numri i të infektuarve prej fillimit të epidemisë u rrit në 160.461 persona. Deri më tani vdiqën 5.535 njerëz.