Shqiptarja përfundoi doktoraturën në Universitetin BOKU📍, duke kombinuar gjenetikën, inteligjencën artificiale dhe analizën e të dhënave për zhvillimin e varieteteve të reja të grurit👇
Një tjetër histori suksesi vjen nga diaspora shqiptare në Austri. Pranvera Berisha ka mbrojtur me sukses disertacionin e doktoratës në Universitetin BOKU (University of Natural Resources and Life Sciences) në Vjenë, në kuadër të Institutit të Gjenetikës dhe Bioteknologjisë, transmeton albinfo.at.
Ajo përfundoi studimet e doktoratës në Shkencat Natyrore, duke kurorëzuar një rrugëtim të gjatë akademik të ndërtuar mbi përkushtimin, punën shkencore dhe këmbënguljen.
Rrugëtimi i saj akademik është i veçantë. Pranvera ka përfunduar Fakultetin Juridik dhe studimet master, ndërsa paralelisht ka përfunduar edhe Fakultetin e Agronomisë, po ashtu me studime master. Falë rezultateve të larta dhe angazhimit të vazhdueshëm, ajo u pranua në studimet e doktoratës në Universitetin BOKU, ku u përfshi në projekte të shumta kërkimore.
Tema e doktoratës së saj u fokusua në përdorimin e gjenetikës, inteligjencës artificiale dhe analizës së të dhënave për të përshpejtuar zhvillimin e varieteteve të reja të grurit me rendiment më të lartë dhe rezistencë më të madhe ndaj sëmundjeve, transmeton albinfo.at.
Ky hulumtim konsiderohet një kontribut i rëndësishëm në fushën e gjenetikës bimore, duke ndërthurur shkencën moderne me teknologjitë e inteligjencës artificiale për të mbështetur zhvillimin e një bujqësie më produktive dhe të qëndrueshme.
Doktorimi i Pranvera Berishës përfaqëson një arritje të rëndësishme akademike dhe një shembull frymëzues për të rinjtë shqiptarë, duke dëshmuar se përkushtimi ndaj dijes dhe kërkimit shkencor mund të çojë drejt sukseseve në institucionet më prestigjioze ndërkombëtare./Albinfo



