Kina publikoi të premten një dokument, ku shpreh qëndrimin e vet mbi zgjidhjen politike të krizës së Ukrainës. Më poshtë është teksti i plotë i këtij dokumenti.
Pozicioni i Kinës për zgjidhjen politike të krizës së Ukrainës
1. Respektimi i sovranitetit të të gjitha vendeve. Duhet të zbatohet rreptësisht ligji ndërkombëtar i njohur universalisht, duke përfshirë qëllimet dhe parimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara. Duhet të respektohen efektivisht sovraniteti, pavarësia dhe integriteti territorial i të gjitha vendeve. Të gjitha vendet, të mëdha a të vogla, të forta a të dobëta, të pasura a të varfra, janë anëtare të barabarta të bashkësisë ndërkombëtare. Të gjitha palët duhet të respektojnë së bashku normat bazë që rregullojnë marrëdhëniet ndërkombëtare dhe të mbrojnë barazinë e drejtësinë ndërkombëtare. Duhet të nxitet zbatimi i njëjtë dhe i barabartë i ligjit ndërkombëtar, ndërsa duhet të kundërshtohen standardet e dyfishta.

2. Braktisja e mendësisë së Luftës së Ftohtë. Nuk duhet të kërkohet siguria e një vendi në dëm të të tjerëve. Siguria e një rajoni nuk duhet të arrihet duke forcuar ose zgjeruar blloqet ushtarake. Interesat dhe shqetësimet e ligjshme të sigurisë të të gjitha vendeve duhet të merren seriozisht dhe të trajtohen siç duhet. Nuk ka zgjidhje të thjeshtë për një çështje komplekse. Të gjitha palët duhet që, duke ndjekur vizionin e sigurisë së përbashkët, të gjithanshme, bashkëpunuese e të qëndrueshme dhe duke mbajtur parasysh paqen dhe qëndrueshmërinë afatgjatë të botës, të ndihmojnë në krijimin e një arkitekture të ekuilibruar, të efektshme dhe të qëndrueshme të sigurisë evropiane. Të gjitha palët duhet të kundërshtojnë synimin për arritjen e sigurisë së vet në dëm të sigurisë së të tjerëve, të parandalojnë kundërvënien në bllok dhe të punojnë së bashku për paqe dhe qëndrueshmërinë në kontinentin euraziatik.
3. Ndalimi i armiqësive. Konflikti dhe lufta nuk sjellin përfitime për askënd. Të gjitha palët duhet të jenë të arsyeshme dhe të përmbajtura, të mos i hedhin benzinë zjarrit dhe të shmangin acarimin e tensioneve, dhe të parandalojnë përkeqësimin e mëtejshëm të krizës apo madje daljen jashtë kontrollit. Të gjitha palët duhet të mbështesin Rusinë dhe Ukrainën që të ecin në të njëjtin drejtim dhe të rinisin dialogun e drejtpërdrejtë sa më shpejt të jetë e mundur, me qëllim që të shpërshkallëzohet gradualisht situata dhe të arrihet një armëpushim i gjithanshëm.

4. Rifillimi i bisedimeve të paqes. Dialogu dhe negociatat janë zgjidhja e vetme e mundshme për krizën e Ukrainës. Duhet të nxiten dhe të mbështeten të gjitha përpjekjet që nxisin zgjidhjen paqësore të krizës. Bashkësia ndërkombëtare duhet të mbetet e angazhuar ndaj qëndrimit të duhur të nxitjes së bisedimeve të paqes, të ndihmojë palët në konflikt t’i hapin dyert një zgjidhjeje politike sa më shpejt të jetë e mundur dhe të krijojë kushte e platforma për rinisjen e negociatave. Kina do të vazhdojë të luajë një rol konstruktiv në këtë drejtim.
5. Zgjidhja e krizës humanitare. Duhet të nxiten dhe të mbështeten të gjitha masat që nxisin lehtësimin e krizës humanitare. Operacionet humanitare duhet të ndjekin parimet e asnjanësisë e paanësisë dhe nuk duhet të politizohen çështjet humanitare. Siguria e civilëve duhet të mbrohet efektivisht dhe duhet të ngrihen korridorë humanitarë për evakuimin e civilëve nga zonat e konfliktit. Nevojiten përpjekje për të shtuar ndihmën humanitare në fushat e duhura, për të përmirësuar kushtet humanitare dhe për të siguruar qasje të shpejtë, të sigurt e të papenguar humanitare, me qëllim që të parandalohet një krizë humanitare në një shkallë më të gjerë. Duhet të mbështetet OKB-ja në luajtjen e një roli bashkërendues në dërgimin e ndihmës humanitare në zonat e konfliktit.
6. Mbrojtja e civilëve dhe e të burgosurve të luftës. Palët në konflikt duhet të respektojnë rreptësisht ligjin humanitar ndërkombëtar, të shmangin sulmimin e civilëve ose të objekteve civile, të mbrojnë gratë, fëmijët dhe viktimat e tjera të konfliktit e të respektojnë të drejtat themelore të të burgosurve të luftës. Kina mbështet shkëmbimin e të burgosurve të luftës ndërmjet Rusisë e Ukrainës dhe u bën thirrje të gjitha palëve të krijojnë kushte më të favorshme për këtë qëllim.
7. Mbajtja e centraleve bërthamore të sigurta. Kina kundërshton sulmet e armatosura kundër centraleve bërthamore ose objekteve të tjera bërthamore paqësore dhe u bën thirrje të gjitha palëve të përmbushin ligjin ndërkombëtar, duke përfshirë Konventën mbi Sigurinë Bërthamore, e të shmangin me vendosmëri aksidentet bërthamore të krijuara nga njeriu. Kina mbështet Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) të luajë një rol konstruktiv në nxitjen e sigurisë së objekteve bërthamore paqësore.

8. Pakësimi i rreziqeve strategjike. Nuk duhet të përdoren armët bërthamore dhe nuk duhet të zhvillohet luftë bërthamore. Duhet të kundërshtohet kërcënimi ose përdorimi i armëve bërthamore. Përhapja bërthamore duhet të parandalohet dhe kriza bërthamore duhet të shmanget. Kina është kundër studimit, zhvillimit dhe përdorimit të armëve kimike e biologjike nga cilido vend në çfarëdo rrethane.
9. Lehtësimi i eksportit të drithërave. Të gjitha palët duhet të zbatojnë plotësisht e efektivisht dhe në mënyrë të ekuilibruar Nismën e Drithit të Detit të Zi të nënshkruar nga Rusia, Turqia, Ukraina e OKB-ja, dhe duhet të mbështesin OKB-së në luajtjen e një roli të rëndësishëm në këtë drejtim. Nisma e bashkëpunimit për sigurinë ushqimore globale e propozuar nga Kina, ofron një zgjidhje të realizueshme për krizën ushqimore globale.
10. Ndalimi i sanksioneve të njëanshme. Sanksionet e njëanshme dhe ushtrimi i trysnisë maksimale nuk mund ta zgjidhin çështjen, por vetëm krijojnë probleme të reja. Kina kundërshton sanksionet e njëanshme të paautorizuara nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së. Vendet përkatëse duhet të ndalojnë abuzimin me sanksionet e njëanshme dhe “juridiksionin jashtëterritorial” kundër vendeve të tjera, në mënyrë që të bëjnë kështu pjesën e vet në zbutjen e krizës së Ukrainës dhe të krijojnë kushte për vendet në zhvillim për të rritur ekonomitë e tyre dhe për të përmirësuar jetën e popujve të tyre.
11. Mbajtja e zinxhirëve të industrisë dhe furnizimit të qëndrueshëm. Të gjitha palët duhet të ruajnë me përkushtim sistemin ekonomik botëror ekzistues dhe të kundërshtojnë përdorimin e ekonomisë botërore si një mjet ose armë për qëllime politike. Nevojiten përpjekje të përbashkëta për të kufizuar përhapjen e krizës dhe për të mos e lejuar atë të pengojë bashkëpunimin ndërkombëtar në fushat e energjetikës, financës, tregtisë së ushqimeve e transportit dhe të dëmtojë rimëkëmbjen ekonomike botërore.

12. Nxitja e rindërtimit pas konfliktit. Bashkësia ndërkombëtare duhet të marrë masa për të mbështetur rindërtimin pas konfliktit në zonat e konfliktit. Kina është e gatshme të ofrojë ndihmë dhe të luajë një rol konstruktiv në këtë drejtim.




