Posta dështoi, faji jetim?! Asnjë përgjegjës për çuarjen e Postës në buzë të greminës

Posta e Maqedonisë me vite punon me humbje milionëshe! Pasi falimentimi i bankës Eurostandard e bllokoi edhe më keq punën e saj, tani Qeveria po kërkon që Posta të privatizohet ose të bëhet me partneritet publiko-privat.

Po a do të kalojë kaq lehtë kjo punë, pa u përgjigjur dikush për keqmenaxhimin e postës?!

Drejtori Gjeneral, Ejup Rustemi, nuk deshi të përgjigjet. Nga zyra për media e Postës na u lajmëruan dhe na thanë se nuk duan të komentojnë asgjë, as për privatizimin e as për mbajtje të përgjegjësisë. Na orientuan që për çdo pyetje që kemi rreth kësaj, të drejtohemi në Qeveri, sepse ajo është pronarja.

Për përgjegjësi u pyet zëvendëskryeministri, Fatmir Bytyqi, por ai topin e hedh te organet e drejtësisë.

“Përgjigjen për çdo pyetje për përgjegjësi të atyre që më herët kanë udhëhequr, nuk është përgjegjësi e Qeverisë por e institucioneve të tjera të sistemit, ato janë Prokuroria, gjyqësori, që do të duhej të ndërmerr masa nëse ka momente të caktuara nëse duhet të ndërmerren masa”, deklaroi Fatmir Bytyqi – zëvendëskryeministër.

TV21 iu drejtua prokurorisë me pyetje nëse ka pasur, ka apo do të hapet lëndë që shqyrton se pse vazhdimisht posta ka punuar me humbje dhe nëse dikush ka keqmenaxhuar.

“Prokuroria publike i ndjek informacionet për të cilat tregoni interes. Kur institucionet kompetente, siç është Ministria për Punë të Brendshme ose Policia Financiare, në përputhje me kompetencat e tyre do të dokumentojnë paligjshmëri eventuale që çojnë në vepër të kryer penale, sipas ligjit për procedurë penale Prokuroria do të ndërmarrë ndjekje penale”, thonë nga Prokuroria Themelore.

Zëvendëskryeministri Bytyqi tregoi se vendimi për privatizimin ose partneritetin publiko-privat të postës, Qeveria e ka sjellë në konsensus mes gjithë partnerëve qeverisës, edhe BDI-së, kuadro të së cilës me vite drejtojnë postën, që nga koha kur në koalicion ishin me VMRO-DPMNE-në. Arsyen e keqmenaxhimit, Bytyqi e sheh pikërisht tek fakti se Posta më shumë i ka shërbyer politikës, se sa qytetarit.

“Mendojmë se asnjëherë nuk është zgjedhur modeli më i mirë i menaxhimit, por modeli i cili është zgjedhur ka qenë model i prirur nga kërkesat e partive politike dhe në fund ajo që kemi thënë shumë herë, tregohet se shteti nuk është menaxhues i mirë i ndërmarrjeve publike”, u shpreh zëvendëskryeministri, Fatmir Bytyqi.

Në maj të këtij viti, raporti i Entit Shtetëror për Revizion, tregoi se nga viti 2012 Posta e Maqedonisë punon me humbje në vlerë prej rreth 10 milionë eurove, prej të cilave 2,5 milion euro janë vetëm të vitit 2018. E edhe përskaj kësaj gjendjeje, Bordi Mbikqyrës i Postës ka miratuar lidhje të marrëveshjeve për sigurim menaxherial për 7 drejtorë të Postës, gjë që sipas ligjit për Shoqëri Aksionare edhe kanë mundur të mos e bëjnë në kohë të gjendjes së përkeqësuar financiare./TV21

Loading...