Policia e Kosovës ka njoftuar se pas arrestimit të Faruk Mujkës dhe Besnik Muzliukajt ka kryer kontrolle në vendbanimet e tyre ku ka konfiskuar 60 mijë euro, telefona, llaptopa e dokumente tjera.
Kjo është bërë e ditur në raportin 24-orësh të Policisë ku jepen detaje për aksionin e djeshëm.
“Më 14.07.2023 janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë me dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprën penale të lart-cekur. Gjatë kontrollit në shtëpitë dhe banesat e të dyshuarve si prova materiale janë konfiskuar: 60.000 euro, 2 telefona, tre llap-topa , një USB dhe dokumente tjera të ndryshme lidhur me rastin. Pas intervistimit me vendim të prokurorit dy të dyshuarit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin policor.
Të premten pasdite, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) njoftoi se Faruk Mujka, kryeshef ekzekutiv i Bordit të ndërmarrjes publike “Ibër-Lepenci” dhe Hysen Muzliukaj, këshilltar i ministrit të Bujqësisë, Faton Peci, për të cilët “Betimi për Drejtësi” sot raportoi ekskluzivisht se janë arrestuar nën dyshimin për korrupsion, janë dërguar në mbajtje për 48 orë.
Këshilltari ministrit të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Hysen Muzliukaj është shkarkuar nga detyra zyrtare pasi është arrestuar nën dyshimin për korrupsion. /BetimipërDrejtësi