Portugalia publikon listën për ndeshjet e marsit, ftohet edhe Ronaldo

Kombëtarja e Portugalisë ka publikuar listën me 26 futbollistët e ftuar për ndeshjet e marsit.

Portugalia e nis këtë muaj ciklin kualifikues për Kampionatin Evropian “Euro 2024”, shkruan Gazeta Express.

Më 23 mars, Portugalia e pret Lihtenshtajnin, kurse pas tri ditësh luan në udhëtim te Luksemburgu.

Këto do të jenë edhe ndeshjet e para zyrtare për përzgjedhësin e ri të kombëtares portugeze, Roberto Martinez.

Martinez ka ftuar edhe Cristiano Ronaldon, i cili në Kupën e Botës “Katar 2022” nuk luajti edhe aq shumë, teksa u duk se pati një përplasje me përzgjedhësin e atëhershëm, Fernando Santos.

Kujtojmë se Portugalia është në Grupin J. Pjesë e këtij grupi janë edhe Sllovakia, Islanda dhe Bosnjë-Hercegovina. /Gazeta Express/