Portreti i AKI-t: Konfuzion dhe paqartësi

Shkruan: Florian NESIMI

Opozita shqiptare, tani më e ribrenduar nën shkurtesën AKI, duket se është totalisht e dezorientuar. Partitë që e përbëjnë opozitën kanë probleme themelore saqë as nuk mund të gjejnë një emër adekuat për veten e tyre. Nga “Fronti Evropian” në “Kombëtar”, e në fund përfunduan në një kombinim fjalësh: “Aleanca Kombëtare për Integrim”.

Ribrendimi i fundit në AKI kaloi pa ndonjë bujë të madhe tek opinioni. Qytetarët duket se i kanë kuptuar manipulimet e tyre dhe e dinë se ndryshimi i emrit ishte vetëm farsa e radhës. Prandaj qytetarët vendosën që kësaj dredhie të mos i kushtojnë aspak vëmendje. Dhe parashikimi është se menjëherë pas zgjedhjeve lokale, AKI do të detyrohet të ndryshojë përsëri emrin. Kjo nga shkaku se ky koalicion nuk udhëhiqet nga ndonjë ide e përbashkët apo orientim i qartë politik, por vetëm nga interesat personale të disa protagonistëve të tij. Ky ndryshim i ardhshëm i emrit do të jetë dëshmi e krizës së thellë të identitetit të këtij koalicioni.

Tek opozita shqiptare mungon edhe kohezioni i brendshëm. AKI u krijua pa nënshkrimin solemn të marrëveshjes dhe komunat u ndanë pa marrëveshje të shkruar. Kur u krijua “Fronti Evropian” marrëveshjet u firmosën solemnisht nga ana e liderëve të partive. E në rastin e AKI-t kjo mungoi. Dhe kjo tregon brishtësinë e këtij koalicioni që nuk ka asnjë kauzë të përbashkët përpos etjes së madhe për pushtet.

Mungesa e kohezionit brenda AKI-t më shumë do të vërehet gjatë fushatës zgjedhore ku aktorët politikë të këtij koaliconi do të duhet të dalin në kampanjë së bashku. Aq më e vështirë do të jetë fushata për kandidatët e AKI-t në komunat nga të cilat BDI ka hequr dorë. Ata do të jenë të detyruar të flasin për llogaridhënien dhe të mbrojnë punën katërvjeçare të kryetarëve aktualë të BDI-së, të cilët në shumicën e rasteve nuk kanë realizuar asnjë projekt konkret.

Dhe kur një koalicion funksionon me gjithë këtë konfuzion dhe paqartësi, nuk mund të ofrojë asgjë të re. Aq më tepër kur fryma e brendshme e tyre është e orientuar nga interesat personale të disa protagonistëve, e jo nga vizioni për të ardhmen e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. AKI është një projekt i përkohshëm politik, i orientuar më shumë nga interesat personale të liderëve të tij sesa nga interesi publik, dhe po shkon drejt konsumimit të vetvetes.