Porositë ushtarake për Kërshëndella

Shkruan: Blerim Shala

Në justifikimin e tij pse në Serbi duhet të kthehet shërbimi i detyruar ushtarak  (i cili është pezulluar në vitin 2010), Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, këto ditë deklaroi që Serbia duhet ta ketë një Ushtri të fortë gjithandej shtetit, qysh e ka tash e sa kohë në jug të saj, pos tjerash, sepse statusi i shtetit ushtarakisht neutral, do të mbetet në fuqi në Serbi.

Edhe në këtë mënyrë, Vučić pra pranoi që kapacitetet kryesore të forcave ushtarake të Serbisë, janë të përqëndruara në zonën kufitare të Serbisë me Kosovën.

Në vijim të këtij qëndrimi të Presidentit të Serbisë, Zëvendës-Kryeministri dhe Ministri i Mbrojtjes në Qeverinë në detyrë, Milosh Vuçeviq, në mëngjesin e 7 janarit, vizitoi një bazë ushtarake në komunën e Medvegjës, e cila është e banuar me shumicën shqiptare.

Ministri i mbrojtjes, i cili llogaritet si njëri ndër kandidatët kryesor për postin e Kryeministrit të ardhshëm të Qeverisë së Serbisë, para njësisë ushtarake mbajti një fjalim të zjarrtë patriotik për gjendjen në Kosovë, ku sipas tij po ’kryqëzohen vëllezërit tonë në të shenjtën Kosovë dhe Metohi’.

Asgjë e re, do të mund të thuhej këtu. As prej Vuçiqit dhe as prej Vuçeviqit.

Pos konteksti i këtyre deklarimeve luftarake të liderit të Serbisë dhe të vartësve të tij është i veçantë.

Këto prononcime dhe këto veprime bëhen në ditët kur të krishterët ortodoksë  (jo të gjithë), festojnë Ditën e Kërshëndellave, apo të lindjes së Jezu Krishtit.

‘Paqja hyjnore, Krishti u lind’, kështu e përgëzojnë njeri-tjetrin të krishterët ortodoksë në këtë ditë.

Dhe pikërisht në këtë ditë të kumtit të një paqeje universale  (e cila fatkeqësisht, kurrë nuk u arrit), Presidenti i Serbisë dhe Ministri i Mbrojtjes, të veshur me petka dhe me porosi ushtarake dhe luftënxitëse, dërgojnë porosi për popullin shqiptar në Kosovë.

Nuk ka dhe nuk mund të ketë një paradoks më të madh se sa ky që u hetua në këto ditë të kësaj feste të krishterë.

Natyrisht, ky nuk është paradoksi i parë dhe as i fundit i politikës zyrtare serbe ndaj Kosovës.

Që prej fillimit të saj, atje në vjeshtën e vitit 1912 e deri në qershorin e vitit 1999, kjo politikë është ndërtuar mbi nënshtrimin e shqiptarëve në Kosovë dhe në shpopullimin e saj prej shqiptarëve.

Kjo politikë dështoi një herë e përgjithmonë, tash e një çerek shekulli më parë.

Tash e 13 vjet, në Bruksel zhvillohen bisedimet në mes të autoriteteve të Prishtinës dhe Beogradit për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, pikërisht me një qëllim që ky realiteti i pakthyeshëm i viteve 1999 dhe 2008  (kur Kuvendi i Kosovës shpalli pavarësinë), të merr trajtën e raporteve të mirëfillta fqinjësore të Kosovës dhe Serbisë.

Kaq thjeshtë është për ne dhe për Perëndimin, dhe kaq ndërlikuar është për Serbinë, pa marrë parasysh se kush është në krye të saj.

Këto porosi politike Presidenti Vuçiq dhe vartësi i tij i dërguan në drejtim të Kosovës për këtë festë, në fillim të vitit 2024, kur duhet të mëkëmbet procesi i dialogut në mes të Prishtinës dhe Beogradit, në këtë dimensionin jetik të zbatimit të Marrëveshjeve të arritura gjatë vitit të kaluar.

Në ndërmarrje kaq të rëndësishme ndërkombëtare për fatin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, të cilat në rrethana të njohura për të gjithë ne janë gjetur në luftë në vitet 1998, 1999, s’do mend që vlerë të veçantë ka krijimi i një atmosfere pozitive politike dhe mediatike, për të ecur para në këtë drejtimin e normalizimit të këtyre marrëdhënieve, pa të cilin, siç përsëritë shpesh Brukseli zyrtar, nuk mund të ketë perspektivë evropiane as për Kosovën dhe as për Serbinë.

Deklarimet e kësisojta të Presidentit Vuçiq dhe të ministrit të tij Vuçeviq, janë një univers të tërë larg kësaj qasjeje të domosdoshme për hyrjen në një kapitull të ri të raporteve të Kosovës dhe Serbisë.